E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë filma për të drejtat e njeriut

Gjashtë filma të prodhuar nga Dokufest, të cilët janë rezultat i një projekti njëvjeçar, e që adresojnë të drejtat e njeriut, do të shfaqen të hënën, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë ‘Dokufest’, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, organizon shfaqjen e një programi të filmave dokumentarë për të drejtat e njeriut dhe një panel diskutimi, i cili do të adresojë rolin e filmit dokumentar në përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Në ketë program do të shfaqen gjashtë filma të prodhuar nga Dokufest, të cilët janë rezultat i një projekti njëvjeçar të gjashtë filmëbërësve në ngritje, si pjesë e projektit “Fabrika e Filmave për të Drejtat e Njeriut - Tregimet për të Drejtat e Njeriut nga Margjinat e Kosovës”, i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Këta filma paraqesin rrëfime të fuqishme të jetës në Kosovë dhe adresojnë të drejtat elementare të njeriut.

Fjalën hyrëse në këtë panel do ta mbajë Samuel Zbogar, Kryetar i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë. Ndërsa panelistë të tjerë do të jenë: Cassey Cooper, filmbërës, Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe programer i festivalit DokuFest, Kumjana Novakova, drejtoreshë e festivalit Pravo Ljudski në Sarajevë, Stojan Pelko, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë. Panelin do të modelohet nga Aliriza Arënliu.

Programi do të mbahet në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, më 10 dhjetor, duke filluar nga ora 10:00 ndërsa paneli i diskutimit fillon nga ora 17:00.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›