Dallku junior bind Vorsklan

Shumë shpejt familja Dallku do të përfaqësohet nga dy vëllezër në Vorskla Poltava. Pas Armendit, nga fillimi i vitit tjetër fanellën e ekipit të parë të skuadrës ukrainase pritet ta veshë edhe Ardini.
Vëllai i vogël i përfaqësuesit shqiptar do të nënshkruajë shumë shpejt kontratë profesioniste, kështu që nga sezoni i ardhshëm në Ukrainë ka të drejtë të luajë për ekipin U-19, ekipin e dytë dhe ekipin e parë.
Ardini ishte transferuar në Vorskla një vit më parë, por nuk kishte të drejtë të nënshkruajë kontratë profesioniste deri tash, pasi që nuk ishte ende 18 vjeç. Tash ai e ka arritur këtë moshë dhe e ardhmja është në duart e tij. Dallku junior ndihet i lumtur që arriti t’i bindë drejtuesit e ekipit nga Poltava, që ta shpërblejnë me kontratë për paraqitjet që pati gjatë këtij viti.
“Kemi arritur marrëveshje me drejtuesit e Vorsklas, kur të kthehem në Ukrainë do ta nënshkruajë kontratën afatgjate. Jam mjaft i lumtur që arrita t’i bind udhëheqësit e klubit”, deklaroi qendërmbrojtësi kosovar.
“Deri tash kam luajtur në ekipin U-19, ndërsa tash do të dal në atë U-21, por kam të drejtë loje edhe me ekipin e parë ku luan vëllai im”, vijoi ai.
Ardini zotohet se do ta japë maksimumin për ta bindur trajnerin e ekipit të parë që t’ia japë rastin të luajë përkrah Armendit në mbrojtje të Vorsklas. “Unë s’do të ndalem së ushtruari as në Kosovë, ku po qëndroj për pushime deri më 8 ose 9 janar. Të njëjtën gjë do ta vazhdoj edhe në Ukrainë, duke u munduar të jem sa më i suksesshëm në ekipin U-21, për të kaluar më pas në atë senior”, thotë vushtrriasi.
Dallku i ri arriti të ambientohet për mrekulli në Ukrainë dhe për këtë meritat më të mëdha i ka edhe ‘Baci’ Armend, i cili është bërë veteran në futbollin ukrainas. Ardini kishte shkuar në Poltava në shtator të vitit të kaluar dhe tashmë është gati për sfidat e reja që e presin. Aktualisht, përpos Ardinit, në Vorskla luajnë edhe Armend Dallku dhe Ahmed Januzi.