E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë Korrikut janë plotësuar nevojat me gjak në spitale

Zakonisht në verë, sasitë e gjakut rezervë bien nëpër spitale, por ndryshe ka ndodhur këtë vit, pas një urdhëri të dhënë nga kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ku nisën programet e dhurimit vullnetar të gjakut.

Në këtë kontekst, përveç stafit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, kanë dhuruar gjak një sërë institucionesh të tjera në qytete të ndryshme të vendit si, në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Lushnje. Ndërsa, në muajt në vazhdim ky aktivitet do të vijojë me rajonet e Korçës, Beratit, Elbasanit, Durrësit , Gjirokastrës, Kukësit dhe Dibrës.

"Procesi i dhurimit vullnetar të gjakut nga insitucionet shëndetësore është në vazhdimësi dhe fushata do të vijojë deri në mesin e muajit shtator, kohë në të cilën nis dhe rritja e numrit të dhurimeve vullnetare për shkak të rifillimit të aktiviteteve pas pushimeve të sezonit veror", tha sot zëdhënësja e MSH-së, Alisa Demollari.

Ministria e Shëndetësisë fton të gjithë qytetarës që të dhurojnë gjak, duke u drejtuar pranë bankave të gjakut që ndodhen pranë çdo spitali në Tiranë dhe në rrethe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›