E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë vitit të kaluar, 7,839 vdekje në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Departamenti i Statistikave Sociale, ka publikuar Statistikat e vdekjeve 2012.

Përmes këtij publikimi, ASK ka publikuar të dhëna bazë dhe disa indikatorë statistikorë për vdekjet në Kosovë dhe jashtë Kosovës për vitin 2012.

Sipas ASK, të dhënat në këtë publikim janë përfundimtare dhe janë rezultat i hulumtimeve të rregullta mujore, ndërsa përpunimi dhe publikimi i të dhënave janë me karakter vjetore.

“Pas luftës së vitit 1999, është vlerësuar se rastet e statistikave vitale – vdekjet përfshiheshin rreth 75%, ndërsa për vitin 2012 rastet e vdekjeve janë përfshirë rreth 80%. Në bazë të të dhënave të prezantuara në këtë publikim, për vitin 2012 mortaliteti është 4.0 promil. Vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në librat amzë për vdekje, në vitin 2012 kanë qenë 7 839 vdekje. Prej tyre 7 317 vdekje kanë ndodhur në Kosovë, kurse 522 vdekje kanë ndodhur jashtë Kosovës”, thuhet në raportin mbi statistikat e vdekjeve 2012.

Sipas këtij raporti, nga gjithsej vdekjet e raportuara, 4 291 janë meshkuj ose 58.6% dhe 3 026 janë femra ose 41.4%.

ASK thekson se rastet e vdekjeve që kanë ndodhur në institucione shëndetësore mbulojnë 40.1%, ndërsa 58.0% janë raste që kanë ndodhur në shtëpi, dhe 1.8% në vende të tjera.

“Nëse i referohemi komunës, rastet më të shumta janë në Prishtinë, ku kanë ndodhur 2 246 raste të vdekjeve, ose 28.7%; Prizreni ka 770 raste te vdekjeve ose 9.8%; Mitrovica ka 438 raste të vdekjeve ose 5.6% etj. Ndërkaq, mosha e të vdekurve në 74.1% të rasteve është 60 vjeçare e më shumë”, theksohet në raport.

Nëse i referohemi muajve kur kanë ndodhur vdekjet, TM1 i vitit ka 36.0%; ndërsa, vetëm muaji shkurt ka 9.6%. Sa i përket etnicitetit, vdekjet te shqiptarët janë 93.4%.

“Kur flasim për natyrën e vdekjeve në Kosovë, në vitin 2012 kemi: vdekje të dhunshme që përfshijnë 208 raste ose 2.8%; fatkeqësi 142 raste ose 68.3%; vetëvrasje 34 raste ose 16.3%, dhe vrasje 32 raste ose 15.4%. Kurse, mosha e vdekjeve të dhunshme është 20-49 vjeçare (te meshkujt dhe te femrat)”, vazhdon më tej raporti.

Sipas ASK-së, foshnja të vdekura në vitin 2012 janë 315 raste ose 4.3% nga të gjitha vdekjet. Prej tyre, 178 raste janë meshkuj ose 56.5% dhe 137 raste ose 43.5 % janë femra.

“Vdekjet perinatale – deri 6 ditë kanë qenë 197 raste ose 62.5%; vdekjet neonatale – 7 deri 27 ditë kanë qenë 60 raste ose 19.0%; dhe, vdekjet postneonatale – 28 ditë deri në 1 vjeç kanë qenë 58 raste ose 18.4% të foshnjave”, përfundon raporti./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›