E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtohen shtëpitë në Dubravë

Tri shtëpi të fshatit Dubravë të Ferizajt, që para disa ditësh janë djegur, do të ndërtohen me fonde të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete. Këtë e pohuan kryetari i Ferizajt, Agim Aliu dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, pas një takimi që zhvilluan të mërkurën, në të cilin takim, siç u tha, është konfirmuar bashkëpunimi i mëtejmë ndërinstitucional i këtij dikasteri qeveritar dhe Komunës së Ferizajt.

"Jemi dakorduar që të bëjmë meremetimin e tri shtëpive të djegura ditë më parë në Dubravë. Komuna ka pasur kapacitete të kufizuara për të ndihmuar këto familje. Ne i kemi ndihmuar me pako ushqimore dhe strehim të përkohshëm, por nevojat e familjeve kanë qenë më të mëdha. Falë Ministrisë për Kthim kjo do të arrihet dhe ne shprehim falënderimet tona" ka thënë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Ndërsa ministri Jevtiq ka thënë se ministria me komunën do të punojnë së bashku në sanimin e dëmeve që janë shkaktuar nga zjarri dhe këto familje të komunitetit ashkali t'i rikthehen jetës në vendet e tyre.

"Ministria për Kthim vazhdon bashkëpunimin me nivelin lokal, në funksion të zgjidhjes së problemeve të komunitetit joshumicë që jetojnë në këtë komunë" ka thënë Jevtiq.

Ndër çështjet që janë trajtuar në këtë takim, ka qenë edhe çështja e sistemit të ujësjellësit në fshatin Bablak dhe furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e atjeshëm. Kryetari Aliu ka theksuar se komuna dhe ministria do të mbështesin projekte të komunitetit serb në këtë fshat, ndër të cilat edhe projektin e ujësjellësit.

"Do të zgjidhim problemin e ujit të pijshëm në bashkëfinancim me ministrinë. Së bashku do të shlyejmë edhe një pjesë të borgjeve që kanë banorët si dhe do të vendosim ujëmatësit" ka nënvizuar Aliu.

Ministri Jevtiq ka falënderuar kryetarin Aliu për projektin e ndërtimit të selisë së Parohisë në Ferizaj, ndërsa Aliu ka siguruar mysafirin se do të shikohen mundësitë që në të ardhmen të bëhet meremetimi i kishës ortodokse të Ferizajt.

Ministri Jevtiq i pyetur për procesin e kthimit të serbëve në rajonin e Ferizajt, që për shumë vite ishte vlerësuar të jetë një storie e suksesit, ka thënë se në të kaluarën ka pasur projekte jo të suksesshme të kthimit, projekte që kanë pasur kosto të lartë, ndërsa kthimi nuk ka ngjarë në të vërtetë, ngaqë shumica e shtëpive të ndërtuara për të kthyerit sot janë të pabanuara.

"Ne këto raste i marrim si vërejtje për projektet e ardhshme që mendojmë t'i realizojmë me pushtetet lokale. Në këtë kuadër them se procesi i kthimit nuk ka qenë i suksesshëm, por duhet të punojmë që të ketë sa më shumë të kthyer në gjitha ato mjedise ku më parë ata jetonin, me një kualitet më të lartë. Kur e them këtë mendoj se administrata lokale duhet të jetë partneri ynë kryesor gjithmonë aty ku ndodhë kthimi" ka thënë ministri Jevtiq.

Nga ana tjetër, kryetari i Ferizajt ka thënë se situata e sigurisë në Ferizaj është stabile dhje kjo situatë vazhdon të jetë e tillë falë bashkëpunimit të mirë që kanë institucionet e pushtetit, mekanizmat e sigurisë me banorët lokalë.

"Çështja e sigurisë nuk është brengë për komunitetin serb" ka thënë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›