E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë vizitës në Pukë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të këtij qyteti. Në takim ishin të pranishëm Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulëzim

Gjatë vizitës në Pukë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të këtij qyteti. Në takim ishin të pranishëm Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulëzim Basha, deputetët e zonës, etj

Duke përshëndetur qytetarët, Kryeministri Berisha theksoi:

"Ju falënderoj me shumë mirënjohje për këtë takim kaq të përzemërt. Ditët me borë janë ditë të bardha. Ne takohemi sëbashku në ditë të bardhë. Me shumë mirënjohje, dua t'ju falënderoj për mbështetjen tuaj, mbështetje me të cilën ju, qytetarët e Pukës, bëtë të mundur ndryshimin e madh, sollët në parlament 2 deputetë dhe i dhatë Shqipërisë mundësinë e ndryshimit.

Unë vij këtu pas një viti qeverisjeje, për t'u siguruar se çdo orë, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj, me mijëra herë në ditë nuk kam menduar gjë tjetër veçse ndryshimin që ju prisnit, ndryshimin që ju meritonit, ndryshimin jetik dhe përcaktues për të ardhmen tuaj të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Një vit më parë, Shqipëria, në rrethe të tëra, dominohej nga bandat, nga organizatat kriminale, të cilat grabisnin shtëpitë e shqiptarëve, vajzat e shqiptarëve, të cilët vrisnin, bënin ligjin dhe kjo vetëm e vetëm se kishin lidhje me qeveritarë. Ju jeni malësore, ju e dini se bandit trim nuk ka. Se gjithë trimërinë dhe zemrën atyre ua jepte pushteti me të cilin ishin lidhur.

Ajo që deklaruam ne ishte zero tolerancë ndaj tyre. Ne u zotuam para jush se do t'i ndalonim, arrestonim dhe vendosnim para ligjit, kudo që të ndodheshin, në hotele me pesë yje apo në shpellat e Alpeve. I ndaluam në hotelet me 5 yje, i ndaluam ne shpellat e Bjeshkëve të Namura. Askush nuk do të mund të cënojë sigurinë tuaj, sigurinë e fëmijëve tuaj, pronave tuaja, veprimtarisë suaj. Ne jemi zotuar për ligjin, do të bëjmë ligjin, do të garantojmë liritë dhe të drejtat e shqiptarëve.

Brenda një viti bosët e mafies dhe kthetrat e tyre u vendosën para drejtësisë dhe kështu do të vazhdojë. Ne jemi për një vend të sigurtë, që fëmijët, vajzat, nënat, motrat, burrat, të ndihen të lirë dhe të sigurtë në jetën dhe veprimtarinë e tyre.

Një vit më parë, shkalla e korrupsionit në shtetin shqiptar ishte më e larta në Europë, ndër më lartat në botë. Shkaqet themelore të varfërisë shqiptare gjatë këtyre viteve nuk janë më kooperativat bujqësore, nuk janë më bunkerët që ndërtoi Enver Hoxha. Jo! Janë miliarda e miliarda euro që përvetësuan qeveritarët kleptokratë gjatë tetë viteve të sundimit të tyre. Në tetë vjet qeveri socialiste përvetësuan nga 4 deri në 6 milion euro taksat tuaja, taksa të cilat ju i paguani me çdo gjë që blini.

Ne u zotuam me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Cilat janë rezultatet? Unë kam kënaqsinë tju njoftoj se sot qeveria që unë kryesoj, shpenzon 40 % më pak se qeveria e mëparshme për makina, për telefonata, etj. Ne ndaluam përdorimin e parave tuiaja për qëllime private nga zyrtarët.

Së dyti, ne amenduam ligjin e prokurimeve. Prokurimet piublike sot janë shumë më të hapura dhe kjo bëri që kostoja e prokurimeve, jo vetëm që nuk është rritur por është ulur 25 përqind, duke kursyer në këtë mënyrë mbi 100 milionë dollarë. Ne luftuam evazionin dhe kontrabandën. Me të gjitha këto, ne aia dolëm që në një vit të shpëtojmë nga shpërdorimi, vjedhja dhe auzimi, jo 100 a 200 milionë dollarë, por mbi 500 milionë dollarë.

Cfarë solli lufta kundër korrupsionit, c'farë bëmë ne me këto para? Të gjitha janë tuajat. Ne këto para, së pari, i shndërruam në rrugë. Unë u them se këtë vjeshtë janë prokuruar dhe janë në prokurim e sipër, autostrada dhe rrugë që do të ndërtohen gjatë viteve që vijnë. Më shumë se të gjitha rrugët e ndërtuara në 45 vitet e fundit.

1 miliardë e 200 milion euro do të investojmë gjatë këtij mandati në rrugë. Do të ndërtojmë autostradën Lushnje- Vlorë, autostradën Kukës-Morinë, rrugën Korcë- Qafë Plloç, do të asfaltojmë dhe rindërtojmë 6000 km rrugë dytësore. Ne jemi të vendosur që të bëjmë çdo përpjekje që ju të udhëtoni në rrugë të denja për ju, të udhëtoni si të gjithë qytetarët europianë.

Cfarë bëmë tjetër me këto para?. Me këto para ne po ndërtojmë ujësjellësa, me këto para ne po përmirësojmë rjetin energjitik. Unë dua t'u them se me këto përpjekje ne kemi rritur mbi 40 % shpenzimet për fëmijët tanë. Jemi të vendosur që të bëjmë cdo përpjekje që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla moderne. Këtë vit ne i hapëm tërësisht universitetet, sikundër, për kontigjentet të cilat nuk i kanë arritur pikët në zonat verilindore, ne kemi vendosur që të krijojmë kushte të veçanta, duke i njohur defektet, në mënyrë që ata të vazhdojnë universitetin.

Vëllëzër dhe motra. Arsimi përjeton vështirësi shumë serioze. Ai gjatë këtyre 8 viteve pati një rënie dramatike. Pati një rënie, sepse u mbyllën kudo shkollat profesionale. Sot, vetëm 1/3 e fëmijëve shqiptarë ndjekin shkollat e mesme. Ne jemi të vendosur që me taksat tuaja të hapim konvikte në Pukë, Krumë, Tropojë, Kukës, Permet, Gramsh, Skrapar, Librazhd, Pogradec dhe në një seri rrethesh të tjera, në mënyrë që qeveria të garantojë mundësitë për të vazhduar shkollën e mesme për çdo fëmijë që dëshiron ta ndjekë atë.

Ne jemi të vetëdijshëm se varfëria ekstreme është e papranueshme, ndaj dhe këtë vit u përqëndruam në rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Ne rritëm rrogat e administratës me një mesatare 20 %. Por ka patur nënpunës që kanë patur një rritje me 67 % të rrogave të vogla.

Më të mëdha kanë qenë rritjet e pensioneve. Pensionet në Shqipëri, për shkak te rritjes së cmimeve, humbën vlerë dhe nuk mundësonin përballimin e jetës. Hapi i parë ishte i madh. Ne vendosëm që në datën 1 dhjetor, cdo pensionist në qytet do të marrë një pension jo më të vogël se 100 mijë lekë dhe, në datën 1 janar, çdo pensionist në fshat do të marrë një pension jo më të vogël se 50 mijë lekë. Fatura e kësaj rritjeje ka qenë shumë e madhe, më e madhe se fatura e rritjes së rrogave, por ka qenë shumë me e domosdoshme sepse gjendja e pensionistëve ishte shumë e pa pranueshme. Unë dua t'i siguroj ata se ky është vetëm hapi i parë i madh, se asgjë nuk ta pengojë këtë qeveri për të vazhduar me insistim rritjen e rrogave, rritjen e pensioneve, përmirësimin e kushteve të qytetarëve shqiptarë.

Një pjesë e madhe e mbi 500 milionë dollarëve që u mblodhën, u kthyen prapë tek biznesi. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që biznesit t'i krijojmë të gjitha kushtet për të punësuar sa më shumë qytetarë. Sapo inaguruam një fabbrikë këpucësh, me 150 punëtorë. Sipërmarrësi i saj më informoi se ishte gati të hapte farikën e dytë, po me kaq punëtorë.

Qeveria është e vendosur që, krahas uljes së taksave që ka bërë dhe do të vazhdojë t'i bëjë, me nismën 1 euro t'u kërkojë për periudhën e kualifikimit vetëm 1 euro për punëtorë dhe të gjitha shpenzimet t'i marrë ajo përsipër, në mënyrë që kur punëtorët të nisin punën tek sipërmarrësi të jenë plotësisht të aftë.

Nxitja e punësimit, nxitja e investimeve në tërësi, nxitja e investimeve në zonat e thella, është një ojektiv madhor i qeverisë sonë.

Qytetarë të Pukës! Unë u ndala për t'u njohur ju me disa nga efektet e mëdha direkte, por dua t'u them haptas se efekti më i madh nuk janë këto. Shumë më i madh se këto është heqja e lakut të dënimit. Një vend i korruptuar, është një vend i dënuar në kuptimin më të plotë të fjalës, i dënuar sepse qytetarët e tij varfërohen gjithnjë e më shumë, i dënuar sepse të gjithë e tregojnë me gisht, i dënuar sepse kur kryeministri i këtij vendi, apo ministrat e këtij vendi, ulen në tavolinë me homologët e vendeve të tjera, ata në dosjet e tyre kanë një shigjetë ku thotë: Kujdes! Jep sa më pak se aty vidhen paratë e taksapaguesve.

Dy ditë më parë FMN rriti nivelin e kredisë për Shqipërinë nga 120 milion euro në 380 milionë euro. Dhe kjo vetëm për faktin se kjo qeveri nuk i shpërdoroi, nuk i abuzoi me to. Sepse kjo qeveri është e vendosur t'i përdorë ato për ujësjellesa, për rrugë, për ura.

Në këtë kontekst, ju bëj thirrje që, ashtu siç u bëtë autorë te ndryshimit të madh me votën tuaj, le ta vazhdojmë këtë beteje kundër korrupsionin, sepse ky është një kancer që ka nevojë për luftën e përbashkët. Ju dhe ne të dënojmë ryshfetin, të dënojmë korrupsionin, t'i dalim ballë për ballë. Ju jap fjalën se do të keni mbrojtjen e plotë totale të qeverisë dhe shtetit.

Ju siguroj se ku është kontributi më i madh që ju mund të jepni për veten dhe vendin. Ju e shihni ndryshimin në një vit. Ne prashikojmë që vitin tjetër të investojmë, vetëm në investime 700 milionë dollarë dhe kjo për shkak të luftës kundër korrupsionit. Prandaj, le t'i përvishemi kësaj beteje që këtë sëmundje ta nxjerrim nga shoqëria shqiptare. Do të zhvillohemi shumë më shpejtë.

Puka ka dëshmi të sigurta se po del nga harresa, se nuk është më rrethi i harresës. Sapo inaguruam një rrugë të ristrukturuar, në të cilën janë investuar 400 milione lekë, në një distancë 64 km. Ata që kanë udhëtuar kanë përshëndetur punën e shkëlqyer që kanë bërë kompanitë shqiptare në ndërtimin e saj. Të gjitha rrugët e tjera të Pukës dhe të mbarë Shqipërisë do të rindërtohen. Gjithashtu, në harkun kohor një mujor janë përuruar dy ndërmarrje, miniera e granitit në Fushë- Arrëz dhe farika e këpucëve në Pukë.

Unë ju siguroj se ne do të nxisim, me masa lehtësuese, investimet në Pukë dhe shfrytëzimin e pasurive të saj, minierave të saj, shfrytëzimin e pyjeve, të zonave turistike dhe të gjitha pasurive që Puka ka.

Unë nuk do të ndalem tek opozita. Por dy gjëra dua të theksoj. Strategjia e kreut të opozitës është një dhe vetem një: të bllokojë parlamentin me aktet më rrugaçe të para në ndonjë vend, për të treguar se ata që janë në Parlament janë njësoj si ai. Ai u fut me borizanë në parlament dhe një vit e mbrapa do i detyronte ata t'u binin borive në parlament. Por dy gjera duhet të jenë të sigurta; se parlamentin ata nuk mund ta bllokojnë, as këtë qeveri. Sepse reformat janë motoja jonë dhe janë kërkesa jetike tuajat dhe se Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të lira e të ndershme.

Ju siguroj ju dhe të gjithë qytetarët e Pukës dhe Shqipërisë se, do të bëjmë çdo përpjekje që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, se dita e zgjedhjeve do të jetë ditë feste. Natyrisht, në traditën me të lashtë shqiptare festat kanë kurbanin e tyre. Kurbani do të jetë don Edvini. Por ai e ka nja vetja, jo nga ne"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›