Gjehet i pajetë pranë detit një 50-vjeçar
DURRËS – Dalja rreth orës 06:00 të mëngjesit e Rrahman Hykës ishte e zakonshme për familjarët e tij. Por, disa orë më pas ata janë thirrur për të verifikuar një trup të gjetur jashtë mureve të portit. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, kur rojet e Sigurisë Portuale konstatuan në afërsi të murit rrethues një objekt të dyshuar si një kufomë pasi e verifikuan, njoftuan menjëherë policinë. Nga verifikimet e para rezultoi se viktima nuk kishte shenja dhune në trup, ndërsa mësohet se për të konfirmuar shkakun e vdekjes, pritet përgjigjja e autopsisë. Trupi i pajetë u identifikua si Rrahman Hyka, 50 vjeç, i lindur në Gramsh dhe banues në lagjen numër 15, buzë zonës së Kënetës. Ndërkaq, të njohurit e 50-vjeçarit shprehen se viktima ka qenë konsumator i alkoolit prej disa vitesh, edhe pse fillimisht policia e ka përjashtuar si pistë vdekjennga mbidoza e alkoolit. Trupi i pajetë u gjet rreth 5 metër larg bregut të detit, tek muri rrethues i portit në pjesën perëndimore. Zona është e pafrekuentuar dhe ende nuk dihet se përse Hyka ka qenë në atë vend. Dyshimet e para të policisë janë për një vdekje jonatyrale. Vetë familjarët kanë përjashtuar pistën e vetëvrasjes.