Gjenden detonatorë në veri të Kosovës, Svelça akuzon Serbinë për planifikim sulmesh

Një ditë më parë, policia e Kosovës dhe njësi të KFOR-it gjetën dhjetë detonatorë ndezës me fitila në afërsi të fshatit Gjezhdan, në komunën e Leposaviçit, në veri të Kosovës.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Svelça, akuzoi Serbinë për planifikim të sulmeve terroriste në Kosovë.
“Serbia, përmes bandave kriminale dhe terroriste, vazhdon të planifikojë dhe ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës. Shtrirja e Policisë së Kosovës dhe prania e institucioneve tona të sigurisë ka bërë të mundur që të tilla mjete, të cilat mund të shndërroheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen dhe të shmangen,” shkroi Svelça në një postim në Facebook, ku gjithashtu shprehu vendosmërinë e forcave të zbatimit të ligjit për të luftuar këto grupe kriminale.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, detonatorët u gjetën pranë shtratit të lumit Gjezhdan, dhe forcat e zbatimit të ligjit po punojnë për të zbuluar origjinën e tyre dhe qëllimin e përdorimit, pasi këto pajisje mund të paraqisnin rrezik për banorët e zonës.
Gazetare: Elda Lamja
/rtsh.al/