Distria Krasniqi e artë në Grand Prix Zagreb 2025

PRISHTINË, 15 nëntor/ATSH/ Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka shkëlqyer në Grand Prix Zagreb 2025, duke fituar medaljen e artë në kategorinë e saj.
Krasniqi nisi garën direkt nga raundi i dytë, ku mposhti me Ippon Amanda Lima nga Brazili. Në çerekfinale ajo vazhdoi dominimin duke triumfuar sërish me Ippon ndaj Blandine Pont të Francës. Edhe në gjysmëfinale, xhudistja kosovare e mposhti me Ippon Gaia Stellën nga Italia.
Në duelin final për medaljen e artë, Distria u tregua e jashtëzakonshme, duke mundur me Ippon Reka Pupp nga Hungaria dhe duke u ngjitur kështu në majën e podiumit.
Kjo arritje vjen si dëshmi e formës së jashtëzakonshme të Distrias dhe suksesit të vazhdueshëm të xhudos kosovare në arenën ndërkombëtare.
Kosova vazhdon të dëshmojë veten si shtet i xhudos, duke arritur rezultate të mëdha në garat më prestigjioze. /Kosovapress/