Gjendet i mbytur në det peshkatari i zhdukur
• DURRES - Gjendet në det trupi i pajetë i peshkatarit Faik Idrizi, që u zhduk tri javë më parë.Kufoma e tij është parë rastësisht nga një anije tregtare në një distancë prej 10 miljesh larg bregut në Durrës. Pas lajmërimit të marinarëve, në sallën operative të Kapitanerisë së Portit për praninë e një kufome në det të hapur, ka nisur menjëherë puna për rikuperimin e trupit. Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka hedhur e para dyshimet se viktima mund të ishte peshkatari kavajas Faik Idrizi, i zhdukur pasditen e 4 shkurtit të këtij viti, nga brigjet e fshatit Karpen. Ky fakt është përforcuar nga familjarët, të cilët kanë arritur ta identifikonin kufomën nga rrobat që mbante veshur. Sipas policisë 50-vjeçari Faik Idrizi kishte dalë për të gjuajtur peshk rreth dy javë më parë së bashku me 30 bashkëfshatarë të tij. Deti i egërsuar dhe era që ka nisur të fryjë papritur kanë përmbysur barkën e drunjtë, duke e lënë peshkatarin në mes të detit. Familja Idrizi ishte banore e fshatit Karpen të Kavajës prej dy vitesh, kur kishte mbërritur aty nga fshati Gost i rrethit të Elbasanit. Që nga ajo kohë kryefamiljari Faik Idrizi kishte nisur të punonte në peshkim si të vetmen mundësi jetese për familjen. Për këtë kishte sajuar një barkë druri me të cilën dilte çdo ditë në det për të peshkuar, ndërsa i shiste peshqit nëpër restorantet bregdetare dhe ato të qytetit të Durrësit. Sipas shpjegimeve që kanë dhënë kolegët e tij peshkatarë, paraditen e 4 shkurtit kishin dalë në det të hapur me rreth 30 varka, por kushtet e këqija atmosferike dhe deti i trazuar kishin bërë që një pjesë e tyre të ktheheshin sërish pas. Vetëm pak prej tyre kishin vazhduar peshkimin, ndërsa pasdite veç Idrizit të gjithë ishin kthyer. Sipas tyre, dallgët mund të kenë përmbysur barkën e 50-vjeçarit, ndërsa ai nuk ka arritur t'i mbijetonte ujit të ftohtë më tepër se 10 milje larg bregut. Një ditë pas zhdukjes së peshkatarit në bregdetin e Kavajës kolegë të tij dhe banorë të zonës gjetën të përmbysur në det barkën me të cilën peshkonte i zhdukuri. Rreth barkës ishte mbledhur edhe rrjeta e pe-shkimit e cila besohet se ka penguar peshkatarin gjatë lundrimit. Kanë qenë kolegët e të zhdukurit ata që lajmëruan të afërmit e peshkatarit se ai nuk ishte kthyer nga deti sipas orës së caktuar para se të fillonte peshkimi. o.u.