Gjendet i vdekur 51-vjeçari, e goditi rrufeja
GRAMSH- Ka qenë duke kullotur bagëtitë kur është goditur nga një shkarkim rrufeje dhe ka gjetur vdekjen. Sipas policisë, 51-vjeçari Xhemil Balla me banim në fshatin Bratilë të komunës Kodovjat në rrethin e Gramshit është gjetur në një arë nga disa të afërm teksa këta të fundit ishin duke e kërkuar, pasi ishin bërë merak që nuk ishte kthyer. Viktima, që ishte goditur gjatë pasdites nga rrufeja ka qëndruar për disa orë në arë, derisa të afërmit kanë arritur tek trupi i pajetë. Kufoma është gjetur pikërisht në fshatin Bratilë në një kullotë. Menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë është lajmëruar policia. Nga konstatimet e para dhe nga deklarimet e të afërmve burri ka qenë duke kullotur bagëtinë kur kanë filluar shkarkimet e rrufesë. Kjo periudhë është edhe më e ngarkuara me shkarkime atmosferike dhe shumë barinj kanë humbur jetën pikërisht gjatë kësaj stine.