E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur tatimori

Trupi i pajetë i 35-vjeçarit Ilirjan Seitllari është gjetur në orën 8:30 të mëngjesit të djeshëm fare pranë një pike karburanti, në një kanal buzë rrugës nacionale. Babai i tre fëmijëve, prej disa vitesh punonte si inspektor tatimesh në komunën e Hudënishtit, teksa mbrëmjen e së martës kishte dalë bashkë me një grup të administratës. Ende nuk janë dhënë arsyet e vdekjes së 35-vjeçarit, ndërsa bëhet e ditur se ai ka marrë goditje në kokë dhe ka pasur gërvishtje në fytyrë. Gjithashtu, mësohet se pas daljes nga lokali, vetë kryetari i komunës është sëmurur.


Një grup prej administratës së komunës së Hudënishtit pasi kanë marrë rrogat kanë shkuar në një lokal pranë një karburanti dhe një lavazhoje. Grupi i administratës ka pasur në përbërje dhe vetë kryetarin e komunës, Nexhmi Dokollari. Sipas disa dëshmitarëve okularë, ata kanë qëndruar disa orë në lokal dhe kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli. Në orët e vona të mbrëmjes, janë larguar nga lokali. Por sapo kanë dalë nga lokali ka humbur ndjenjat kryetari i komunës, Nexhmi Dokollari, i cili çohet me urgjencë në spitalin e qytetit ku vazhdon të qëndrojë ende në spitalin nën kujdesin e mjekëve. Por nga administrata ka munguar që të shkojë në shtëpi 35-vjeçari Ilirjan Seitllari. Familja ka filluar kërkimin e tij gjatë gjithë natës, por vetëm në mëngjesin e
djeshëm kanë mundur që të gjejnë trupin e tij të pajetë në një kanal me ujë.

Në vendngjarje ka shkuar policia dhe grupi hetimor, ndërsa ka mbërritur nga Korça edhe zv.drejtori i policisë së qarkut dhe ekspertët e qarkut. Kufoma është çuar në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Gjatë këqyrjes së kufomës, sipas burimeve të mirinformuara, janë vënë re goditje në kokë që kanë krijuar hematoma dhe gërvishtje të fytyrës së viktimës Ilirjan Seitllari, babai I tre fëmijëve, ku më i madhi është 13 vjeç. Menjëherë kanë filluar hetimet dhe po punohet në disa pista. Gjatë ditës së mërkurë janë shoqëruar në polici dhe janë marrë në pyetje mbi 20 vetë. Po hetohet edhe për të zbuluar sasinë e alkoolit të konsumur nga viktima si dhe shkaqet e shenjave në kokë. Grupi hetimor pritet që gjatë ditës së sotme të dalë me një version zyrtar. Sipas burimeve policore, pritet që të merret në pyetje edhe kryetari i komunës, Nexhmi Dokollari, që ka qenë dëshmitar ocular, i cili ka qenë së bashku me disa punonjës së administratës së tij ku ndodhej edhe viktima Ilirjan Seitllari. Sipas të afërmve të viktimës, Ilirjani ka qenë një djalë i forte, i cili ka punuar si peshkatar para se të fillonte punë në komunën e Hudënishtit. Ai gëzonte shëndet të mirë dhe nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin e tij.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›