Gjendet kanabis në fshat, procedohet kryeplaku

Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë bëri të ditur se paraditen e djeshme ka nisur hetimin në gjendje të lirë për 50-vjeçarin Gjergji Kote, me detyrë kryeplak i fshatit Ziçisht në rrethin e Devollit, me akuzën “shpërdorim detyre”. Nisur nga ligji që ngarkon me përgjegjësi kryepleqtë e fshatrave apo krerët e komunave, në rast se ata nuk sinjalizojnë apo informojnë për raste të kultivimit të bimëve narkotike, policia ka dërguar për ndjekje penale 50-vjeçarin Kote.
Sipas policisë, ai do të hetohet në gjendje të lirë për faktin se bimët narkotike janë gjetur të mbjella në një sipërfaqe toke jashtë fshatit Ziçisht dhe numri i tyre ka qenë i vogël. Këto dy rrethana lehtësuese kanë bërë që policia të tregohet “e butë” me kreun e fshatit Ziçisht, dhe ta ndjekë atë penalisht në gjendje të lirë.
Në vazhdën e aksioneve antidrogë që po ndërmerr policia rajonale e Korçës për asgjësimin e bimëve narkotike para se ato të arrijnë fazën e pjekjes, kontrollet janë ushtruar edhe në rrethin e Devollit ku për herë të parë këtë vit zbulohen bimë kanabis sativa. Kryeplaku i fshatit Ziçisht, në rrethin e Devollit, është i dyti që dërgohet për ndjekje penale me akuzën e shpërdorimit të detyrës ngaqë nuk ka raportuar në polici për rastin e kultivimit të bimëve narkotike në territorin e fshatit që ai administron dhe për të cilin ai mban përgjegjësi ligjore.
Kujtojmë që në fund të muajit korrik, një tjetër kryeplak në Qarkun e Korçës ka përfunduar në prangat e policisë për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre. Në datën 31 korrik të këtij viti, kryeplaku i fshatit Mbreshtan, në rrethin e Kolonjës, përfundoni në burg, pasi nuk raportoi mbjelljen e kanabisit në fshatin e tij. Pavarësisht kundërshtive të kryeplakut për mospatje informacioni, kjo nuk i ka penguar uniformat blu të arrestojnë Kujtim Rushitin. Në të njëjtën ditë në pranga kanë rënë dhe dy kultivues, banorë të këtij fshati shumë të largët malor në Kolonjë. Shkak i arrestimit të tyre ka qenë gjetja dhe asgjësimi i 559 rrënjëve kanabis sativa në zonën e quajtur “Lisa” në fshatin Mbreshtan të rrethit Kolonjë.