E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Reforma zgjedhore, kryefjala e sezonit të ri politik

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se çdo tentativë për përmirësimin e zgjedhjeve pa përmirësuar ligjin zgjedhor, mbetët vetëm demagogji dhe që nuk ka të bëjë me shqetësimin për zgjedhje korrekte në Shqipëri.

"Jemi këtu për të bërë apel edhe një herë, si edhe më parë, për të nisur punën për reformën zgjedhore, pasi një nga kredot themelore të LSI-së kanë qenë gjithnjë zgjedhjet me standardet të larta", deklaroi Vasili.

Sipas tij, politika ka konsumuar qindra deklarata, duke shpërthyer dhe në pathos të jashtëzakonshëm për nevojën e standardeve më të mira zgjedhore, por momenti kryesor që duhet të dëshmojnë vullnet për arritjen e këtyre standardeve po i shmangen në mënyrë të vazhdueshme.

Nënkryetari i LSI-së shtoi se sezoni i ri politik në shtator, duhet të ketë kryefjalë të tij nisjen e punës intensive për një reformë zgjedhore sa më të mirë, duke reflektuar çdo lloj sugjerimi të faktorëve ndërkombëtarë.

“Vënia në jetë e sugjerimeve të publikuara në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet në vendin tonë, siguron parametra të një Shqipërie, e cila duke qenë tashme një vend evropian, qytetarët e të cilit do të lëvizin lirshëm në Evropë, duhet të ketë edhe zgjedhjet që meriton”, deklaroi Vasili.

Duke bërë të ditur se LSI e ka shumë të qartë se cilat do të ishin përmirësimet e ndryshme që mund t'i bëheshin kodit aktual, pa lëvizur thelbin e tij, nënkryetari i saj tha se grupi i ekspertëve të domosdoshëm dhe shumë të përgatitur për ta bërë këtë gjë janë tashmë gati për të sjellë këto sugjerime në tavolinën e bisedimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›