E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet në Serbi piktura e vjedhur e Cezanne

Një pikturë e piktorit impresionist Paul Cezanne, “Djali me jelekun e kuq”, me vlerë disa dhjetëra milionë euro dhe e vjedhur në muzeun e Zyrihut, është gjetur në Beograd.

Lajmin e bëri të ditur e përditshmja serbe ‘Blic’, sipas së cilës policia lokale ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhjen në dy operacione të ndryshme, në Beograd dhe në Çaçak, në jug të kryeqytetit.

Piktura e Cezanne u vodh në muzeun e Zyrihut në vitin 2008 bashkë me tri piktura të tjera që mbanin firmat e Claude Monet, Vincent van Gogh dhe Edgar Degas.

Piktura e Cezanne thuhet se arrin shumën prej 109 milionë dollarë, ndërsa është vjedhur në atë që konsiderohet plaçkitja më e madhe e artit në botë.

“Ekspertët në Serbi dhe jashtë po tentojnë të konstatojnë nëse piktura është një origjinal. Kjo pikturë vlen dhjetëra milionë euro”, ka thënë një zyrtar policor, i cili ka kërkuar që të mbetet anonim.

Piktura ishte vjedhur në vitin 2008 në galerinë Georg Buehrle në Zurich, një koleksion privat i themeluar nga një sipërmarrës dhe tregtar i armëve të Luftës së Dytë Botërore.

Dy prej pikturave, një nga Claude Monet dhe tjetra e piktorit Vincent Van Gogh, ishin zbuluar pak ditë më vonë, të braktisura në një veturë, ndërsa dy të tjerat – kjo e Paul Cezanne dhe tjetra e piktorit Edgar Degas, kanë qenë të zhdukura gjatë këtyre katër viteve.

Piktura e Cezanne, “Djali me jelekun e kuq”, thuhet të jetë pikturuar rreth vitit 1888 dhe përshkruan një djalë me veshje tradicionale italiane, me jelek të kuq, një shami të kaltër dhe një rrip të kaltër. Tri versionet tjera të pikturës janë në muzetë e Shteteve të Bashkuara.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›