Ngritja dhe rënia e shokut Bo

Bo, i cili jo fort moti ishte një simbol i “kulturës së kuqe” dhe i aparatit komunist kinez, tashmë është shndërruar në shënjestër të akuzave nga po kjo parti, për shkak të “shkeljes së rëndë të disiplinës”. Si rrjedhojë ai tani është nën hetime, ndërkohë që është suspenduar nga Politbyroja dhe nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës – një garniturë e ngushtë kjo politike e përbërë nga vetëm 25 anëtarë të partisë, të cilët qeverisin me vendin më të populluar në botë.
Gruaja e tij, Gu Kailai, duket se vetëm sa e ka përkeqësuar edhe më tepër situatën. Kjo për shkakun se ajo dyshohet për vrasjen e një biznesmeni britanik, trupi i të cilit u gjet në një dhomë hoteli në Chongqing, në muajin nëntor të vitit të kaluar. Paraprakisht mediat kineze kishin publikuar se biznesmeni britanik, Neil Heywood, kishte vdekur nga sulmi në zemër si pasojë e konsumit të tepërt të alkoolit. Por, ndërkohë organet kineze të rendit rifilluan hetimin e rastit, për shkak të dyshimeve për vrasje, kështu që zonja Gu përfundoi në burg.
Një mik i afërm i biznesmenit Heywood deklaroi për mediat britanike se, vetëm një ditë para vdekjes, Heywood i kishte thënë se “ishte në telashe” dhe se po përndiqej nga qyteti Chongqing, respektivisht nga familja e shefit partiak, Bo Xilai.
Karriera e 62-vjeçarit ambicioz, Bo Xilai, u ndërpre përnjëherë, vetëm gjashtë muaj para kongresit të partisë, i cili – të paktën siç shpresonte Bo - do të duhej të ishte momenti kur ai do të bëhej pjesë e trupit më të rëndësishëm pushtetar në Kinë – Komitetit të Përhershëm të Politbyrosë, i cili ka vetëm nëntë anëtarë.
Në fakt, lëmshi filloi të shprishej gjatë shkurtit të këtij viti, kur shefi i policisë së Chongqing, Vag Lidiun, papritmas hyri në konsullatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe atje e kaloi një ditë të tërë. Shumë shpejt pas kësaj filloi edhe një hetim tjetër i veçantë.
Në të vërtetë, hetimi i filluar së shpejti u drejtua kah anëtari i Politbyrosë, Bo Xilai, i cili është një mik i afërm i shefit të policisë në Chongqing. Kështu në fakt edhe filloi theqafja e zyrtarit elegant kinez, që deri atëherë konsiderohej një prej yjeve politik kinez në ngritje.
Ndryshe, Bo Xilai është i lindur në Syansi, ndërkohë që babai i tij, Bo Jibao, ishte një revolucionar dhe anëtar i Politbyrosë, po ashtu u shndërrua në viktimë të spastrimeve që ndodhën gjatë Revolucionit Kulturor.
Bo i riu në Partinë Komuniste të Kinës u anëtarësua në tetor të vitit 1980, derisa ende ishte student në Akademinë e Shkencave Shoqërore, prej nga doli si gazetar i diplomuar.
Menjëherë pas kësaj, Bo fillon të përparojë në pozita, duke përcjellë rrugën standarde të aparatçikëve kinezë, duk ndërtuar kështu një karrierë ë suksesshme në krahinën Liaoning, një zonë kjo industriale në verilindje të Kinës, të cilën e udhëhoqi prej vitit 2001 deri në vitin 2004. Pjesë e kësaj krahine është edhe porti Dalyan, kryebashkiak i të cilit ishte mes viteve 1993 dhe 2000.
Pasi që në vitin 2004 u bë ministër kinez i tregtisë, Bo vetëm sa e fuqizon imazhin e një politikani të fortë dhe karizmatik, i cili e flet mirë edhe gjuhën angleze.
Tri vjet më vonë, pas suksesit të madh të eksportit kinez, Bo arrin të bëhet pjesë e Byrosë Politike të Partisë Komuniste, që është ndër instancat më të larta qeveritare në Kinë.
Por, “Kennedy kinez” sukseset më të mëdha i arrin në kohën sa ishte kryebashkiak i Chongqing, të cilin vetëm brenda pak viteve e shndërron në një qendër të madhe ekonomike të vendit, e i cili prosperoi shumë pikërisht falë ndërtimit të hidrocentralit grandioz Tri Grykat, mbi lumin Jang Tse.
Përveç në zhvillimin e qytetit Bo punoi edhe në çrrënjosjen e korrupsionit, duke realizuar mijëra arrestime brutale dhe gjykime, të cilat shpesh u kritikuan ashpër nga aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Këto veprime ndikuan që Bo, paralelisht suksesit, të rriste edhe numrin e armiqve të tij. Veë kësaj, armiq krijoi edhe për shkak se dëshironte që në Chongqing të jetonte idealin revolucionar të Mao Tse-Tung, nëpërmjet fushatës propaganduese përplot slogane e këngë patriotike.
Sipas vlerësimeve të Patrick Chovanec, ekspert për Kinën, nga Universiteti Tsinghua në Pekin, përmes stilit të tij atipik, Bo Xilai ka “përçmuar” shumë zyrtarë kinezë.
"Ai ishte shumë i hapur, shumë vetëmohues dhe shumë karizmatik, e shumica e liderëve kinezë sigurisht që nuk sillen në këtë mënyrë”, thotë Chovanec.
Sido që të jetë, “kjo është një ngjarje dramatike. ne zakonisht nuk shohim këso drama mes lidershipit kinez”, thotë ai.
"Kjo gjë s’ka të bëjë vetëm me korrupsionin por edhe me një betejë të madhe brenda lidershipit, për atë se kush do të udhëheqë me vendin”, përfundon Chovanec.