E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendja e romeve kritike edhe ne BE

Komunitetet rome në vendet e Europës Perëndimore përballen me nivele të njëjta diskriminimi si në vendet ballkanike brenda e jashtë BE-së, vlerësoi një studim i ri i realizuar nga Bashkimi Europian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Publikimi i të dhënave u bë ditën e mërkurë, pasi vlerësimit të gjendjes së 22 203 romëve, në 11 vende të BE-së me përqendrim të lartë të komunitetit rom.

Sipas raportit, gjendja e kësaj popullate është më e keqja midis pakicave që jetojnë në BE, përsa i përket të ardhurave, edukimit, strehimit dhe gjendjes shëndetësore.

Ioannis Dimitrakopoulos, i Agjensisë Europiane për të Drejtat Thelbësore të Njeriut deklaroi se gjendja e romëve në vende si Franca, Italia dhe Spanja është e njëjtë me atë të vendeve qëndrore e lindore të unionit, si Hungari, Rumani dhe Sllovaki.

”Kjo është pikërisht ajo që na ka befasuar më shumë. Prisnim të gjenim ndryshime të rëndësishme, duke pasur parasysh diferencat në nivelin e jetesës midis vendeve të marra në shqyrtim, por kur përsa i përket romëve, këto diferenca pothuajse zhduken dhe trajtimi i të gjithëve është praktikisht i njëjtë”, deklaroi Dimitrakopoulos.

Në studim u përfshinë romët e Bullgarisë, Republikës Çeke, Francës, Greqisë, Italisë, Hungarisë, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës. Midis gjetjeve kryesore të raportit janë.

- Vetëm 15% e romëve mbi 18 vjeç kanë kryer studimet sekondare (gjimnazin) në vendet e BE-së.

- Mesatarisht, më pak se 30% e romëve kryejnë një punë të paguar.

- Gjysma e kësaj popullate ka një ose më shumë mungesa të objekteve të domosdoshme shtëpiake si: kuzhinë, tualet, dush apo elektricitet.

- 40% e romëve pranojnë se kanë vuajtur urinë për një ose më shumë ditë brenda një muaji, pasi nuk kanë pasur të ardhura për të blerë ushqim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›