Gjendjet civile, faqe elektronike në internet
Nga dje, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka promovuar dje faqen e saj elektronike, e cila është dpgjc.moi.gov.al. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, z. Armand Teliti, e cilësoi këtë faqe elektronike një hap të mëtejshëm të dixhitalizimit dhe komunikimit elektronik të shërbimit të gjendjes civile, i cili është në pararojë të procesit të madh modernizues të qeverisë shqiptare të quajtur Shqipëria dixhitale. Pa dyshim ky shërbim elektronik e ka të domosdoshëm një komunikim elektronik me përdoruesit e tij, që mund të jenë të gjithë qytetarët shqiptarë apo të huaj, të gjitha institucionet shqiptare apo të huaja që kanë nevojë për informacione për këtë shërbim, - u shpreh Teliti. Në faqen elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile paraqitet informacion i plotë për mënyrën e kryerjes së akteve të ndryshme të gjendjes civile, procedurat e pajisjes me dokumente identiteti, kuadrin ligjor ku mbështetet shërbimi i gjendjes civile etj. Në faqen elektronike dpgjc.moi.gov.al përdoruesit mund të gjejnë gjithashtu informacion për sistemin e adresave, për momentin vetëm për një grup njësish vendore, bashki e komuna dhe në përfundim të procesit të dixhitalizimit të sistemit të adresave, për të gjithë territorin e vendit.