E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Punës, ndërmarrje sociale për grupet në nevojë

Edhe Shqipëria, sikurse vendet e rajonit, do të lejojë ngritjen e bizneseve dhe ndërmarrjeve sociale, të cilat do të ofrojnë shërbime për grupet në nevojë. Hapja e ndërmarrjeve të tilla do të sanksionohet me ligj, i cili ka nisur të hartohet nga strukturat e Ministrisë së Punës në bashkëpunim me ekspertë italianë. Në fjalën e tij, ministri i Punës, Spiro Ksera, deklaroi se ngritja e ndërmarrjeve sociale do të favorizojë hyrjen në punë të grupeve në nevojë, nëpërmjet prodhimit të të mirave dhe shërbimeve me dobi sociale ose interes kolektiv. Ligji do të krijojë kushtet e nevojshme për të inkurajuar iniciativa të zhvillimit të aktiviteteve prodhuese, me qëllim që të realizojnë të ardhura për të mbështetur shërbimet e tyre sociale. Fitimi është një mjet për të arritur objektivat sociale, që duhet të jetë pjesë e misionit për përfshirjen sociale, punësimin dhe riintegrimin e grupeve në nevojë, - u shpreh ministri Ksera. Sipas tij, ndërmarrjet sociale janë një hap më përpara se OJF-të, jo vetëm në ofrimin e shërbimeve të ndryshme social-shëndetësore, por dhe në strukturën dhe menaxhimin e tyre. Ato mund të lidhin kontrata me shtetin për menaxhimin e shërbimeve të ndryshme, duke garantuar një cilësi më të lartë e kosto më të ulët për buxhetin e shtetit. Aftësia e tyre për të punësuar grupe dhe individë në vështirësi social-ekonomike do të ndikojë në rritjen e numrit të popullsisë së zënë me punë, duke mundësuar kështu edhe riintegrimin e kësaj kategorie. Këto lloj aktivitetesh nuk duhet të konsiderohen si nisma të ndërmarrjeve individuale private. Aktualisht, në vendin tonë njihen nisma të tilla, siç janë ndërmarrja e prodhimit të karrocave për personat me aftësi të kufizuar e ngritur në Vorë, pak kilometra larg Tiranës. Në këtë ndërmarrje punojnë vetë invalidët, por shpeshherë drejtuesit e saj janë gjendur në vështirësi financiare për shkak të mungesës së fondeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›