"Gjenerali i ushtrisë së vdekur" anulohet në Prishtinë
Teatri Kombëtar i Prishtinës, por edhe publiku ishin përgatitur që të prisnin në kryeqytetin kosovar shfaqjen "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Realizuar më parë në teatrin e Shkupit me regji të Dino Mustafiç, mbështetur mbi librin e Ismail Kadaresë, shfaqja nuk do të ngjitet tani për tani në skenën kosovare. Ka qenë Adem Karaga, drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, ai që ka bërë me dije lajmin e anulimit. Sipas Karagës, problemet financiare janë arsyeja kryesore për anulimin e turneut në Prishtinë me shfaqjen "Gjenerali…". Karaga i ka mëshuar sidomos indiferentizmit të Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë, që të mundësojë këtë turne në Prishtinë. Teatri Kombëtar i Kosovës kishte bërë të gjitha përgatitjet për të pritur trupën mysafire të Teatrit të Shkupit. Interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm. "Na vjen keq që u anulua ardhja e "Gjeneralit…‘ në Prishtinë. Vërtet na vjen keq, posaçërisht për publikun që tregoi kaq shumë interesim për këtë shfaqje. Fatkeqësisht ne, nga ana jonë, nuk kemi mundur të bëjmë asgjë. Me kapacitetet tona u kemi ofruar mbulimin e shpenzimeve të akomodimit, por nuk kemi mundur të ofrojmë më shumë", tha Jeton Neziraj, drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke shprehur bindjen se ardhja e "Gjeneralit…" do të mundësohet në një të ardhme të afërt.