E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poetë nga pesë shtete takohen në Sarandë

Arti i poezisë ka sjellë në qytetin e Sarandës lëvrues të saj nga pesë shtete të rajonit tonë. Me pjesëmarrjen e poetëve nga Bosnja, Greqia, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, ka nisur mbrëmjen e së premtes dhe ka vijuar gjatë ditës së djeshme, përmes një vargu aktivitetesh, Festivali Rajonal i Poezisë, organizuar nga klubi i krijuesve "Jonianë" në Sarandë.

Festivali është çelur nga Bardhyl Maliqi, në cilësinë e kryetarit të klubit, i cili u ka uruar mirëseardhjen miqve nga shtete të ndryshme të rajonit. Krijuesi Dashamir Malo, anëtar i kryesisë së klubit, ka prezantuar të gjithë poetët pjesëmarrës në festival e pas kësaj secili prej tyre ka bërë një vetëprezantim të profilit poetik, duke deklamuar poezinë më të zgjedhur për këtë veprimtari. Pjesë e veprimtarive të festivalit rajonal të poezisë ka qenë edhe promovimi që i është bërë numrit të parë të revistës letrare "Art Jonian". Festivali rajonal i poezisë në Sarandë ka shërbyer për të njohur nga afër njëri-tjetrin dhe krijimtarinë personale, për të shkëmbyer libra mes tyre, si dhe për shkëmbimin e mendimeve të lira për problematikën që has poezia në rajon.

Th.Nika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›