E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania 800 mln euro per viktimat e Holokaustit

Gjermania pranoi që të paguajë një dëmshpërblim shtesë prej 800 milionë eurosh, për të ndihmuar familjet hebrehe që të përkujdesen për të mbijetuarit e moshuar të Holokaustit.

Rreth 56 mijë hebrenj, të cilët shpëtuan nga kampet e shfarrosjes së Gjermanisë Naziste do të përfitojnë dhe një e treta e tyre ndodhen në Izrael. Qëllimi i kësaj ndihme është rehabilitimi i të mbijetuarve, që të lejohen të jetojnë denjësisht vitet e tyre të fundit të jetës. Për herë të parë, Berlini ka pranuar që të paguajë jo vetëm ata që vuajtën në kampe përqendrimi, por edhe hebrenjtë që u interuan në geto në qytetet e ndryshme të pushtuara. Konferenca Ndërkombëtare e Hebrenjve, një organizatë që mbron të drejtat e të mbijetuarve të Luftës së Dytë Botërore, e mirëpriti këtë vendim. “Përgëzojmë faktin që Gjermania vazhdon të përmbushë detyrimin e saj historik, për të shpaguar viktimat e nazismit”, deklaroi Stuart Eizenstat, një prej drejtuesve kryesore të organiztaës, në një deklaratë të postuar në faqen e internetit. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›