Gjermania: Është ende herët për të thënë se Ukraina po fiton luftën

Edhe pse Ukraina ka fituar terren dhe po zmbraps gjithnjë e më shumë forcat ruse është ende herët për të thënë se ajo po e fiton luftën. Kështu ka bërë të ditur ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht, e cila shtoi se Gjermania është e vendosur të mbështesë luftën e ukrainasve.
“Është e vështirë të vlerësohet për momentin nëse Ukraina po e fiton luftën, sepse ne nuk e dimë se si do të reagojnë rusët tani”, tha Lambrecht.
Ministrja tha se Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës pajisje dhe gjeneratorë të përshtatshëm veçanërisht për dimër.
“Sukseset e ushtrisë ukrainase kanë çuar në dobësimin e forcave ruse dhe tregojnë se ukrainasit janë pozicionuar shumë mirë taktikisht dhe janë në gjendje të zmbrapsin sulmet me sukses që askush nuk do ta priste. Ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ajo.
/rtsh.al/