Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar letër OKB: Gati të rivendosim sanksione ndaj Iranit, nëse nuk ulet në bisedime

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania kanë vënë në dijeni OKB-në se janë të gatshme të rivendosin sanksione ndaj Iranit nëse deri në fund të këtij muaji, Republika Islamike nuk rinis bisedimet për programin e saj bërthamor.
Në një letër adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit, ministrat e jashtëm të tre fuqive europiane shprehen se janë të angazhuara të përdorin çdo mjet diplomatik që kanë në dispozicion për të ndalur zhvillimin e një arme bërthamore nga Teherani, nëse ky i fundit nuk ulet në bisedime.
Londra, Parisi dhe Berlini gjithashtu kërcënuan të përdorin mekanizmin për rikthimin e sanksioneve, pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare të 2015-ës, që fuqitë bërthamore nënshkruan me Republikën Islamike dhe e cila reduktoi sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Sipas së njëjtës marrëveshje, e cila ndërkohë skadon në muajin tetor, çdo palë e saj mund të rivendosë sanksione.
Tre fuqitë europiane janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, së bashku me Kinën dhe Rusinë, ndërkohë që SHBA u tërhoq në 2018-n gjatë mandatit të parë të Donald Trump si president.
Britania, Franca dhe Gjermania kanë shtuar paralajmërimet ndaj Teheranit për pezullimin e bashkëpunimit të tij me agjencinë e OKB-së për energjinë atomike, pasi në muajin qershor Izraeli nisi një luftë që zgjati 12 ditë ndaj Iranit dhe së cilës iu bashkua edhe SHBA.
Në letrën e ministrave të jashtëm të tre vendeve, theksohet se këto të fundit do t’i përmbahen marrëveshjes së 2015-ës, por ndërkohë vihen në dukje shkeljet e paktit nga Irani, siç është ngritja e një stoku me uranium 40 herë më shumë se niveli i lejuar nga pakti.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/