E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjermania jep edhe 12 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

Gjermania do të dërgojë ndihma shtesë me vlerën e 12 miliardë eurove në Ukrainë, një lëvizje kjo që shënon ndryshimin e mëtejshëm të përqasjes së saj tradicionale paqësore.

Komiteti i Bundestagut për buxhetin dha dritën jeshile për financim shtesë që përfshin 3.2 miliardë euro që do të disbursohen në vitin 2023, dhe linja krediti për periudhën 2024 -2032 që arrijnë vlerën e rreth 8.8 miliardë euro.

Që nga fillimi i pushtimit rus, qeveria gjermane ka vënë më shumë se 14.2 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës.

Në një deklaratë tre ligjvënës që përfaqësojnë koalicionin qeveritar në komitetin parlamentar për buxhetin u shprehën se “me paratë e vëna në dispozicion, Ukraina mund të blejë në mënyrë të drejtpërdrejtë armatime me mbështetjen e qeverisë gjermane”.

“Lëvizja përbën një hap shumë të rëndësishëm përmes të cilit ne bëjmë të qartë se mbështesim Ukrainën në terma afatgjatë në luftën e saj kundër Putin”, u shpreh ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius. 

Përmes fondeve do të blihen automjete të blinduara, tanke dhe municione që do t’i dërgohen Ukrainës në vitet e ardhshme, theksoi ministri gjerman në një deklaratë.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›