E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania kalon grupin, tani e pret Portugalia

Gjermania ka arritur të kualifikohet për në çerekfinale, pasi ka mundur mbrëmë Austrinë, me rezultatin minimal, 1- 0. Favoritët për fitimin e trofeut, ashtu si dhe në ndeshjen me Kroacinë, nuk kanë shkëlqyer në lojën e tyre, por në fund kanë mundur të sigurojnë vendin e dytë në Grupin B, me 6 pikë. Gjermanët e nisën mirë lojën dhe sulmuesi Mario Gomez humbi rastin më të pastër për shënim, duke gabuar në vijën fatale. Më pas, loja e tyre nuk kishte rrezik për austriakët, të cilët menduan edhe për sulmin, pasi kishin shpresa për kualifikim. Për t'u përmenduar është fakti se të dy trajnerët, Lëv i Gjermanisë dhe Hikersberger i Austrisë, afër fundit të pjesës së parë, janë dërguar në tribunë nga gjyqtari spanjoll, Mehuto Gonzales, për shkak të acarimit mes tyre. Kapiteni i Gjermanisë, Mikael Balak, 4 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë, nga një goditje dënimi, ka lëshuar një "silurë" të vërtetë, duke shënuar golin e fitores për skuadrën e tij. Më pas, Gjermania është munduar ta administrojë rezultatin, pasi edhe barazimi i bënte punë. Megjithatë, nuk kanë munguar rastet për shënim, nga të cilët vlen të përmendet si më flagranti ai i minutave të fundit, kur Nojvil, i aktivizuar si zëvendësues, ka gjuajtur jashtë kuadratit. Edhe austriakët janë munduar, por sërish kanë treguar se mbeten larg nivelit të skuadrave pjesëmarrëse në Euro 2008. Përfundimisht, Gjermania kalon grupin, por duket se i duhet të përmirësohet shumë, nëse dëshiron të përparojë drejt finales. Kroacia, skuadra kryesuese e Grupit B, e ka fituar edhe ndeshjen e tretë, me rezultatin 1-0. Ka vendosur një gol i Ivan Klasniçit, në pjesën e dytë. Sulmuesi i Verderit, është i pari lojtar, i cili arrin të rikthehet në fushë, madje edhe të shënojë, pasi ka kryer një operacion, një transplant në veshka. Kroacia, deri tani, është skuadra e vetme me pikë të plota, që në çerekfinale do të ndeshet me Turqinë. Ballkanasit e drejtuar nga trajneri Sllaven Biliç janë më të favorizuar për të kaluar në gjysmëfinale. Fatjon RUPI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›