Gjermania kërkon asgjësimin e ‘Mein Kampf’
Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Karola Muller-Holtkemper, me anë të një letre dërguar shtëpisë botuese "Helga's Secrets", i ka kërkuar 'asgjësimin' brenda datës 6 korrik 2012 të të gjitha kopjeve të hedhura në treg të librit "Mein Kampf", të diktatorit nazist, Adolf Hitler. Në rast të kundërt, Holtkemper ka paralajmëruar se, shteti i Bavarisë do të fillojë procesin gjyqësor ndaj kësaj shtëpie botuese. "Gazeta Shqiptare" ka botuar të plotë letrën e ambasadores gjermane dërguar "Helga's Secrets".
“Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj! Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë ka mësuar se shtëpia juaj botuese boton librin e Adolf Hitlerit, ‘Mein Kampf’, e prodhon dhe e hedh atë në treg, pa qenë e autorizuar për ta bërë këtë. Vetëm zotëruesi i të drejtave të autorit është i autorizuar të prodhojë dhe tregtojë ekzemplarët e ‘Mein Kampf’-it. Dhe ky është vetëm Shteti i Lirë i Bavarisë, të cilit i kaluan të drejtat e autorit pas Luftës së Dytë Botërore, bazuar në ligjin e pushtimit aleat”, thuhet në letrën e ambasadores Muller-Holtkemper dërguar shtëpisë botuese “Helga’s Secrets”, e cila para disa muajsh e botoi librin e diktatorit nazist.
Ndaj, për këtë arsye, thuhet në këtë letër, vetëm Shteti i Lirë i Bavarisë ka të drejtën për publikimin dhe shpërndarjen e "Mein Kampf"-it edhe në Shqipëri. Ministria e Jashtme Federale dhe Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë mbështesin Shtetin e Lirë të Bavarisë në zbatimin e të drejtave të tij.
“Në këtë mënyrë, nga njëra anë, duhet dhënë një sinjal kundër përmbajtjes së librit, dhe nga ana tjetër, të pengohet përhapja e ideologjisë nacional-socialiste. Në këtë kontekst, unë kërkoj prej jush të ndaloni menjëherë prodhimin, ofrimin dhe shpërndarjen e ekzemplarëve të librit ‘Mein Kampf’. Më tej, kërkoj të nënshkruani deklaratën e mosveprimit dhënë bashkëngjitur dhe të ma dërgoni atë sërish mua. Për këtë qëllim unë kam vendosur afatin 6 korrik 2012.
Pas kalimit të këtij afati unë do të njoftoj Shtetin e Lirë të Bavarisë për vijimin e shkeljes së të drejtave të autorit, duke e këshilluar të ndërmarrë rrugën ligjore në mbrojtje të të drejtave të autorit”, vijon letra e ambasadores gjermane në Tiranë. Veç kësaj, ajo i ka sjellë në vëmendje botuesit se prodhimi dhe shpërndarja e papranueshme dhe e paligjshme e "Mein Kampf" nga shtëpia botuese “Helga’s Secrets” është objekt i konsultimeve të saj politike me Ministrinë e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.