E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania vëzhgon nga afër zhvillimet në Kosovë

GJERMANI – Shteti gjerman është duke i vëzhguar nga afër zhvillimet në Kosovë, veçanërisht ato në veri, tha sot Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Emily Haber.

Ajo ka pritur pasdite delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Jakup Krasniqi.
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit kosovar, edhe gjatë këtij takimi u diskutua për situatën e përgjithshme politike e të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë atë në veri, për dialogun Kosovë-Serbi dhe për zhvillime të tjera në vend.

Znj. Haber tha se Gjermania është duke i përcjell nga afër zhvillimet në Kosovë, veçanërisht ato në veri dhe përkujtoi qëndrimin e politikës gjermane në raport me Serbinë se pa përmbushjen e kritereve të parashtruara, nuk do të jepet pëlqimi për dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo vlerësoi, gjithashtu, se institucionet e Kosovës duhet të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in në mënyrë që problemi në veri të zgjidhet në mënyrë të koordinuar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Gjermani e ka filluar me pjesëmarrje në një seancë plenare në Bundestagun gjerman. Në fillim të seancës, kryetari Krasniqi është përshëndetur nga presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›