E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë edhe sot bisedimet Kosovë – Serbi

01-12-2011 / Gazeta 55

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë edhe sot, ndonëse ishte planifikuar që ato do të përmbylleshin mbrëmjen e djeshme. Të dy delegacionet kanë diskutuar për më shumë se 12 orë për çështjen e vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale, por nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje. Zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e delegacioneve thanë se ka pasur përparim në bisedimet rreth menxhimit të përbashkët të kufirit dhe për këtë arsye bisedimet do të vazhdojnë edhe sot.
Shefi i delegeacionit serb, Borisllav Stefanoviç tha se janë hedhur disa propozime nga ana e Beogradit për tejkalimin e dallimeve rreth kësaj çështjeje, por Prishtina ka ngulur këmbë që kufiri të jetë kufi shtetëror që është e papranueshme për Serbinë.
Shefja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri, ka theksuar ndërkaq se Prishtina angazhohet për menaxhim të përbashkët të kufirit ndëmrjet dy vendeve si një model evropian që tashmë Kosova e zbaton me vendet tjera fqinje.
Bisedimet po zhvillohen pak ditë para se të merret vendimi nëse Serbisë do t`i jepet apo jo statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, kusht është përparimi në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën që nënkupton shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës. Tensionet në zonë vazhdojnë të mbeten të larta, ndërsa serbët lokal po vazhdojnë të qëndrojnë në barrikadat e vendosura tani e katër muaj me radhë në kundërshtim të shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veriun e banuar me shumicë serbe.
Bisedimet, që janë të fundit për këtë vit po ndodhin në një periudhë të zhvillimeve të dhunshme në veriun e Kosovës ku gjatë ditëve të fundit të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë. Dhuna është dënuar gjerësisht nga autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendase, ndërsa forcat paqeruajtëse thanë se do të përdorin të gjithë mjetet e përshtatshme për të mbrojtur jetën e ushtarëve të KFOR-it.
Në përpjekje për të hapur rrugën për të marë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, bëri thirrje për largimin e barrikadave në veriun e Kosovës duke nënvizuar se ato nuk sigurojnë mbrojtjen e asnjë interesi kombëtar të serbëve, përkundrazi, sipas tij, shkallëzimi I dhunës rrezikon atë interes. Ai tha se për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, Serbia u ndodh më larg statusit të vendit kandidat sesa që ishte ditë më parë.
Qëndrimet e presidentit serb janë parë me mosbesim në Prishtinë, ndërsa kanë nxitur reagime të ndryshme në Serbi. Derisa një pjesë e forcave politike atje e kanë mbështetur atë, opozita e ka kritikuar ashpër duke e cilësuar këtë si njohje të pavarësisë së Kosovës.
Bisedimet e filluara në muaji mars më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë prodhuar disa marrëveshje, përfshirë lëvizjen dhe tregtinë e lirë, por ka ngecur zbatimi i tyre.
Prishtina që më parë ka kërkuar që marrëveshja e mundshme për vendkalimet kufitare të nënshkruhet nga të gjitha palët për dallim nga marrëveshjet e deritashme që janë paraqitur në formë përfundimesh por pa u nënshkruar pej tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›