E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjiknuri: Binomi qeveri- bashki është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Elbasanit

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, gjatë një takimi elektoral me banorë të lagjes “5 Maji” në Elbasan, deklaroi k se kandidati për kryebashkiak, Gledian Llatja, ka mbështetjen e qeverisë, pasi bashkëpunimi qever- bashki është i nevojshëm për zhvillimin e qytetit.

Sipas tij, më 14 Maj, njerëzit duhet të kuptojnë kush është qëllimi i vërtetë i votimit, pasi zgjedhja e kryetarit të bashkisë nuk është zgjedhje thjesht e një individi, por është e një filozofie politike dhe ka të bëjë me të ardhmen dhe me qeverisjen e Elbasanit.

“Projektet në infrastrukturë, ujësjellës- kanalizime, “Auto Moto Parku”, rehabilitimi i lagjes së Kalasë, të gjitha këto projekte nuk do të bëhen të mundura, po s’pati një mbështetje nga qeveria shqiptare, sepse taksat e qytetarëve të Elbasanit nuk mjaftojnë për nevojat që ka ky qytet dhe kjo bashki. Gledi ka mbështetje qeverinë shqiptare. Prandaj binomi Parti Socialiste–bashki; Parti Socialiste – qeveri është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, qytetarët e Elbasanit e dinë shumë mirë se kandidati rival kërkon të bunkerizojë bashkinë për qëllime politike dhe se është në krizë identiteti politik.

“Në fletën e votimit aty është “Bashkimi për Fitore” – Ilir Meta alias Luçiano Boçi. Kjo është fleta e votimit Ilir Meta – Luçiano Boçi. Thjesht do të ndjekë politikën e dyshes Berisha – Meta. Ata e kanë shpalosur kush është qëllimi i tyre politik, të marrim ca bashki të mëdha të bëjmë përmbysjen e madhe. Të përmbysim qeverinë thotë; dhe ishalla po vijnë ata në pushtet, ata dy”, nënvizoi Gjinuri. 

Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se vota më 14 maj është dhe mbështetje për politikat sociale të marra nga qeveria “Rama”.

“Më 14 Maj ne duhet ti themi pro edhe politikave të Qeverisë “Rama”. Ne do ta çojmë pagën mesatare vitin tjetër në 900 Euro. Rritja e pagës dhe pensioneve do të rrisë dhe fondin e sigurimeve shoqërore dhe fondin e pensioneve, do të çojë në rritjen e pensioneve. Shqipërisë i është kthyer dinjiteti dhe Elbasani, unë e kam bindje, ka të ardhme”– nënvizoi Gjiknuri.

Ndërsa ministrja e Arsimit Evis Kushi, njëherësh dhe deputete e Elbasanit u shpreh se vota për Gledi Llatjen është garanci për vijimin e investimeve, për zhvillimin e Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja nënvizoi se në këto 4 vite janë bërë punë që nuk ishin bërë në 30 vite.

“Kemi qenë bashkë në investime, për të përmirësuar cilësinë e jetesës të gjithë banorëve tanë. Nuk i kemi bërë dot të gjitha ato që duheshin bërë për 30 vite ama në këto 4 vite kemi bërë një sërë punësh. Kemi shtruar mbi 100 mijë m2 asfalt në vit, kemi shtuar mbi 10 mijë m2 lulishte, kemi mbjellë mbi 100 mijë pemë në Elbasan. Kemi shtuar sipërfaqet tona në shkolla me mbi 7000 m2 për të gjitha klasat që ishin me 2 turne. Ne po ndërhyjmë gjithandej, po bëjmë palestrat e shkollave, po bëjmë terrenet sportive, po mbështesim të rinjtë për sportet, po mbështesim rininë me qendrën rinore”,- tha ai.

/rtsh.al/

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›