E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Stadiumi i ri “Niko Dovana” në Durrës, studio belge 51N4E, shpallet fituese, Rama: Projekt spektakolar!

Studio belge 51N4E, shpallet fituese për ndërtimin e stadiumit të ri “Niko Dovana” në Durrës. Në garë ishin 3 projekte. Projekti i 51N4E, që fitoi konkursin, e koncepton stadiumin e ri të shkrirë me qytetin. Në prezantimin e projekteve ishte i pranishëm edhe kryeministri, Edi Rama, i cili nënvizoi se ky rikonceptim i stadiumit, synon ta kthejë Durrësin “në një destinacion të talenteve të reja“.

Sipas tij, Projekti i 51N4E është një tjetër projekt spektakolar, si ai i Korçës.

 “Në Durrës duam të bëjmë shumë më tepër. Projekti tjetër është që të kthejmë Durrësin edhe në një destinacion të talenteve jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe rajonale“- theksoi Rama në fjalën e tij. 

Kreu i qeverisë ka publikuar edhe shifra, sipas të cilave, mbi 100 mijë të rinj, fëmijë shqiptarë, rezultojnë të regjistruar në sistemet futbollistike evropiane.

Sipas tij, Akademia dhe Shkolla e futbollit që do të jetë në Durrës, do t’i shërbejnë të gjitha klubeve në Shqipëri, bazuar në seleksionimin që bëhet për sportistët.

Përfaqësuesi i studios fituese, në fjalën e tij, tha se është bërë kujdes që të ndërtohen hapësira të gjelbra, dhe stadiumi të jetë edhe një park stërvitje. Sipas tij, tashmë nuk është e nevojshme që trajnimi i të rinjve, stërvitja e fëmijëve, të bëhet në ndonjë vend tjetër, por pranë stadiumit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›