Gjiknuri: Zgjidhja për fletët, të konservohen në arkiv

Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS tha dje se dekretimi i datës së zgjedhjeve nuk ka të bëjë me procesin e asgjësimit të fletëve
Nënsekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, vlerësoi dje se dekretimi i datës së zgjedhjeve nuk ka të bëjë fare me procesin e asgjësimit të fletëve siç pretendohet.
Në një prononcim të dhënë për gazetën "Shekulli", zyrtari lartë socialist sqaroi se nuk ka asnjë nevojë nga ana e KQZ për t'i asgjësuar fletët e votimit, pasi bëhet fjalë për gjysmën e kutive të mundshme të votimit.
Gjithashtu ai sqaron se për sa i përket reformës zgjedhore do të ishte me vend, që deri në fund të nëntorit të hetoheshin zgjedhjet dhe më pas përmes një komisioni të adresoheshin disa nga rekomandimet, që do të vinin nga hetimi i zgjedhjeve.
FLETËT
Eksperti i selisë rozë tha dje se me dekretin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti nuk ka lidhje, nuk ndikon fare, nuk ka asnjë emergjencë për asgjësimin e fletëve të votimit, pasi zgjedhjet vendore parashikohen të bëhen në maj të vitit 2011.
"Kështu që, çdolloj nxitimi për të djegur fletët e votimit thjesht mund të jetë i motivuar politikisht dhe nuk ka asnjë lloj qëllimi tjetër të arsyeshëm për përgatitjen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka elementë të tjerë që duhet të merren me përgatitjen e zgjedhjeve dhe jo kjo", -shpjegon Gjiknuri.
Patjetër që KQZ, sipas tij, nëse e shikon të arsyeshme mund të vazhdojë përgatitjet e saj, gjërat përcaktohen në kod pak a shumë dhe nuk kanë pse të diskutojnë çështjen e asgjësimit të materialeve.
I pyetur se nëse do të digjen fletët e votimit çfarë qëndrimi do të mbajë Partia Socialiste, anëtari i kësaj partie deklaron se ka një qëndrim politik mbi këtë çështje dhe është publikisht i ditur tashmë. Ai sugjeron një zgjidhje praktike, që fletët e votimit të ruhen në arkiv dhe të mos digjen.
"Nëse do të donin zgjidhje praktike, do të ishte më me vend që këto kuti, fletët e votimit të konservoheshin dhe nuk besoj se çështja ngelet për blerjen e disa kutive të tjerave. Nuk besoj se KQZ apo shteti shqiptar paska ngelur keq për pak para për të blerë disa kuti të tjera", -sugjeron juristi i Partisë Socialiste.
REFORMA
Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS shpjegoi gjithashtu se si mund të kryhet reforma zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore. "Do të ishte me vend që në fillim të kryhej një hetim, këtë muaj deri në fund të muajit nëntor mund të kryhej hetimit i zgjedhjeve dhe në muajin dhjetor mund të ishte koha që të adresoheshin disa rekomandimet që do të vinin nga hetimi i zgjedhjeve, në bazë të zgjedhjeve gjithmonë. Kjo mund të ishte një zgjidhje e ardhshme",- sqaroi Damian Gjiknuri.
Sipas tij, nuk ka nevojë për amendime të karakterit radikal, sepse janë vetëm elementë pjesorë që kanë nevojë për ndryshime. "Nuk është momenti që të diskutojmë për sisteme zgjedhore, apo reformë tërësore zgjedhore, pra vetëm për çështjet që do t'i adresohen zgjedhjeve vendore, kjo do të ishte një zgjidhje",- arsyetoi deputeti i Partisë Socialiste.
ZGJIDHJA
"Nëse do të donin zgjidhje praktike, do të ishte më me vend që këto kuti, fletët e votimit të konservoheshin dhe nuk besoj se çështja ngelet për blerjen e disa kutive të tjerave. Nuk besoj se KQZ apo shteti shqiptar paska ngelur keq për pak para për të blerë disa kuti të tjera".
REFORMA
"Do të ishte me vend që në fillim të kryhej një hetim, këtë muaj deri në fund të muajit nëntor mund të kryhej hetimit i zgjedhjeve dhe në muajin dhjetor mund të ishte koha që të adresoheshin disa rekomandimet që do të vinin nga hetimi i zgjedhjeve, në bazë të zgjedhjeve gjithmonë.".
Kryeministri i Shqipërisë flet në mbledhjen e qeverisë për bum turistik në vendin tonë
Berisha: Shqipëria ka pritur më shumë vizitorë se çka banorë brenda saj
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kërkoi dje që riorientimi i mëtejshëm i resurseve buxhetore të jetë drejt industrisë turistike dhe turizmit. Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë, Berisha tha se turizmi është bërë me një shpejtësi marramendëse, një ndër degët më kryesore të kësaj ekonomie dhe kjo brenda një kohe shumë të shkurtër.
"Këtë vit, rritja e vizitorëve krahasuar me vitin 2004 mund të arrijë në 12 herë. Ky do të jetë viti i parë në historinë e këtij vendi, që Shqipëria ka pritur më shumë vizitorë se çka banorë brenda saj", -deklaroi Kryeministri.
Sipas tij, investime masive janë adresuar në zonat turistike nga Velipoja deri në Ksamil dhe këto investime në tërësi në infrastrukturë tejkalojnë 1 miliard euro. Kreu i qeverisë tha se rritja është marramendëse, çka do të thotë që secila ministri të investojë në fuqizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve turistike të vendit.
Por, siç nënvizoi ai një nga gjërat më të vlerësuara janë dhe çmimet e arsyeshme që kanë vendosur pronarët e hoteleve, apartamenteve dhe me këtë i japin një kontribut të madh vendit, pasi kanë bërë që qytetet tona të mbushen me vizitorë.
Për liderin e qeverisë, këtu ka ndikuar edhe ushqimi shumë i shijshëm. "Në një udhëtim që ka bërë në Perandorinë otomane, Andrè Zhid (Gide) shkroi për vendin tonë: "aty gjeta dy gjera më impresionuese, njëra ishte ushqimi i shijshëm dhe tjetra ishin burrat e bukur." Kur e lexova për herë të parë, shumë e shumë vite me parë, mendova se shqiptarët nga fanatizmi nuk i kishin nxjerrë gratë, kur u thellova me tej zbulova se ai kishte qenë gej",- ilustroi Berisha.
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, reagon ndaj deklaratës së Kryeministrit Berisha
PS: Berisha numëron për turistë çdo qytetar që s'kanë asnjë lidhje me të
Partia Socialiste reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Berisha, duke vlerësuar se ky i fundit numëron për turistë çdo qytetar shqiptar apo të huaj, që kthehen nga emigracioni apo që tranziton në Shqipëri, për arsye që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me turizmin.
Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, tha se e vërteta është se Kryeministri e pushteti që ai drejton kanë dështuar në mënyrë të përsëritur në ato që duhet të ishin misioni i tyre para çdo sezoni vere. "Nëse deklarohet që turizmi është prioritet, e nëse Kryeministri krenohet kaq shumë me të, si ka mundësi që aksidentet në Shqipëri janë më të lartat për frymë në Europë",- deklaroi Kodheli. Sipas saj, çdo vit ne gjendemi përpara këtij fakti, e po çdo vit pushteti i Berishës dështon në marrjen e masave për ta reduktuar sadopak këtë bilanc tragjik.
Përkundrazi, nënvizoi ajo, këtë vit pushteti ka vendosur në mënyrë krejt të papërgjegjshme të lejojë që të ketë punime në disa arterie kyçe të rrugëve të vendit, duke vështirësuar lëvizjen dhe krijuar premisat për aksidente. "Përpara se të lavdërohet për arritje në turizëm, Berisha duhet ta kuptojë se realiteti i turizmit shqiptar, jo vetëm krahasuar me vitet e shkuara, por dhe krahasuar me vendet e tjera fqinjë, lë shumë për të dëshiruar dhe është ende shumë larg asaj çka Sali Berisha trumbeton",- vlerësoi deputetja Kodheli.