Gjilani shfuqizoi vendimin për kushtëzimin e disa shërbimeve

Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka shfuqizuar të martën vendimin për kufizimin e disa shërbimeve komunale me pagesën e faturave për ujë dhe mbeturina, të miratuar në qershor 2011. Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, ka thënë se qëllimi i këtij vendimi ka qenë që të ndihmohen kompanitë publike për një periudhë të caktuar dhe tani vlerësohet se kushtëzimi i ka dhënë efektet e veta dhe mund të shfuqizohet.
Zeka tha se pagesa e shërbimeve për mbeturina dhe ujë, është obligim dhe kërkoi nga qytetarët që t`i kryejnë obligimet e tyre, në mënyrë që edhe kompanitë të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime sa më të mira.
“Konsiderojmë se vendimi për kufizimin e disa shërbimeve, i ka ndihmuar kompanitë që të stabilizohen deri diku, sikurse që i ka vetëdijesuar edhe qytetarët për obligimet e tyre ndaj këtyre kompanive që ofrojnë shërbime publike”, ka thënë Zeka.
Shfuqizimi i vendimit, është mirëpritur dhe përkrahur nga opozita. Arben Mehmeti (LDK) ka thënë se grupimi i tij politik kishte tërhequr vërejtjen me kohë se vendimi për kushtëzim ishte joligjor. Sokol Haziri (AAK) e Arben Maliqi (AKR), mirëpritën diskutimin për këtë çështje dhe përkrahën shfuqizimin e vendimit. Leonora Bunjaku (G/3) ka thënë se në të ardhmen duhet të jemi më të kujdesshëm kur marrin vendime të tilla.
Qemajl Mustafa , kryetar i Komunës tha se vendimi nuk ka qenë i kundërligjshëm, siç po thuhet nga opozita, duke nënvizuar faktin se Zyra e Rregullatorit për Ujë dhe Mbeturina kishte sqaruar se nuk ka asnjë pengesë ligjore për zbatimin e një kufizimi të tillë dhe këtë e kishte bërë para se MAPL të bënte rekomandimin e saj për rishikim të vendimit.
“Interpretimi i MAPL nuk ka asnjë bazë ligjore, por bazohet në dëshirat e një individë në këtë ministri, që nuk ka ndjeshmëri ndaj situatës në terren”, ka thënë Mustafa.
Përndryshe, Kuvendi Komunal ka miratuar edhe raportin financiar për periudhën janar-mars 2013, por pa votat e LDK-së. Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka thënë se shpenzimet e kësaj periudhe janë 4.227.518 euro, prej të cilave mbi një milion janë investime kapitale, rreth 139 mijë euro janë subvencione, 141 mijë euro janë shpenzime komunale, ndërsa të tjerat janë paga për punëtorët e shërbimit civil, arsimor dhe shëndetësor./Indeksonline/