E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimshiti: Ndaj Anglisë në fushë për tri pikët

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, deklaroi sot se sfida e së dielës ndaj Anglisë do të jetë shumë e vështirë, megjithatë skuadra kuqezi do të futet në fushë me synimin për të marrë tri pikët.

Ai theksoi se ekipi po kalon një formë të mirë, çka reflektohet edhe nga rezultatet pozitive.

“Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin. Janë tri pikë të rëndësishme që duam t’i marrim. Kundërshtari është shumë i fortë dhe ne do të japim gjithçka në fushë”, u shpreh kapiteni.

Gjimshiti theksoi se pesë fitoret radhazi janë tregues i progresit të skuadrës. “Nuk i shoh statistikat, por është gjë e mirë kur i dëgjon këto statistika pozitive. Për ne është e rëndësishme të provojmë të arrijmë fazën finale të Botërorit. Anglia është një skuadër shumë e madhe dhe ne duam të marrim rezultat pozitiv”, tha ai.

Lidhur me përballjen me sulmuesin Harry Kane, ai u shpreh: “Sigurisht që mbrojtja e tij nuk është vetëm përgjegjësia ime. Çdo mbrojtës në botë e ka të vështirë të përballet me të. Ne duhet të luajmë si ekip, sepse futbolli është lojë skuadre. Do të kishte shumë vlerë nëse do t’i prishnim rekordin Anglisë, që deri tani nuk ka pësuar asnjë gol në këto eliminatore. Pse jo të jemi ne skuadra e parë që i shënon?”.

Gjimshiti vlerësoi edhe cilësitë e Kane: “Ai luan larg vijës së mbrojtjes dhe është shumë i shpejtë, duke mos lënë pika referimi. Prandaj duhet që i gjithë ekipi të jetë maksimalisht i vëmendshëm”.

I ndalur te objektivat, ai tha: “Edhe para ndeshjes me Andorrën menduam se cila do të ishte skuadra që do të përballnim në ‘play-off’, jo më tani që jemi të kualifikuar. Duhet të marrim rezultat pozitiv ndaj Anglisë, si sinjal për kundërshtarët tanë në ‘play-off’, por edhe për të mësuar nga një skuadër si Anglia”.

I pyetur nëse kjo është mbrojtja më e mirë e Kombëtares në histori, Gjimshiti u shpreh: “Nuk mund të bëj gjykime për këtë. Për ne ka rëndësi që gjithë skuadra të arrijë rezultate pozitive. Pjesa tjetër u takon ekspertëve dhe opinionit jashtë fushe”.

Shqipëria do të përballet të dielën, në orën 18:00, ndaj Anglisë, në ndeshjen e fundit të turit të grupit K të eliminatoreve të Botërorit “USA–Meksikë–Kanada 2026”.

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›