E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Bashkë me FRD e AK, të krijojmë një front anti-Berishë

TIRANE- Kreu i Partisë Social demokrate, Skënder Gjinushi deklaroi dje, se fakti që kreu i PS-së, Edi Rama ka lënë të hapur derën për dy partitë e reja, FRD e Aleanca Kuq e Zi, duhet të kuptohet si krijimi i një fronti të gjerë për të rikthyer demokracinë e konsoliduar në Shqipëri. 

"Unë e kuptoj më shumë si një thirrje për të gjitha forcat që janë për largimin e kësaj të keqeje për Shqipërinë. Duhet dalluar fronti që synon rivendosjen e rendit kushtetues dhe demokracisë së konsoliduar e gjithçkaje që është shkatërruar nga qeverisja e PD-së këto 7 vjet dhe është një diçka tjetër që pas rivendosjes së rendit dhe largimit të këtij klani, se nuk bëhet fjalë për largimin e këtij klani ekonomik, mafioz dhe politik. Pastaj bashkëqeverisja vendoset mbi rregulla të tjera",- tha Gjinushi, në një intervistë për "Top Channel". 

Në lidhje me mundësinë e krijimit të dy koalicioneve në 2013-ën, sipas Gjinushit, "Grupimi i djathtë sigurisht ka rolin e rilindjes të së djathtës". Pra, sipas tij, "fraksionet e krijuara nga e djathta janë krijuar si nevojë e rikonfigurimit të së djathtës, sepse e djathta rezulton që nuk është më një e djathtë e mbështetur mbi ekonominë e tregut; është një e djathtë e mbështetur totalisht mbi krimin dhe korrupsionin",- tha Gjinushi. Ndërsa rikthimin në politikën aktive partiake të Bamir Topit, Skënder Gjinushi e shikon si një sfidë të ish-presidentit brenda së djathtës. "Zoti Topi vendosi të qëndrojë në politikë, por të luajë rol atje ku ka hapësirë dhe jo të vijonte të ishte palë e PD-së, e cila është shkaktare e krizave më të rënda që ka kaluar vendi. Është një sfidë që duhet provuar, sepse njerëzit mund të jenë të zhgënjyer dhe nuk i mirëpresin koalicionet në thonjëza", - tha Gjinushi.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›