E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: Dallimi mes Ramës, Malajt dhe Blushit

Intervista / Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, vlerëson se kalimi i LSI-së djathtas pastroi të majtën


Z. Gjinushi, tashmë kemi një rezultat zgjedhor të certifikuar nga KQZ-ja, ku e majta sërish rezulton jo fituese. Si do ta vlerësonit në tërësi këtë proces?

Përfundimisht dhe fatkeqësisht, konkludohet se zgjedhjet e qershorit janë larg asaj që pritej për sa u takon standardeve dhe nuk u realizua që thuhej me të madhe dhe me forcë, që këto zgjedhje, mbi të gjitha i duheshin Shqipërisë. Është pikërisht mungesa e reformave totale në katër vjet dhe që u kurorëzua dhe me mungesën e një reforme reale për zgjedhjet, por veçanërisht me mungesën e një vullneti politik për zgjedhje të ndershme. Pra, e gjithë kjo beri që Shqipëria të jetë e fundit në rajon edhe për standardet zgjedhore dhe e fundit në rajon për sa u përket kritereve për heqjen e vizave, pra si një hap i rëndësishëm për procesin e integrimit të saj në BE.

Këtu del edhe një herë qartë kontrasti i madh që një vend anëtar i NATO-s nuk bën zgjedhje të standardeve, çka bënë të vetmit vend të NATO-s në Ballkan t'i bëhet e ditur se është prapa me reformat, në raport edhe me vende që mund të jenë edhe antiNATO, siç mund të jetë Serbia. Pra, gjithkush duhet të shqetësohet nga ky dështim i qeverisë dhe do të mjaftonte kaq që kjo qeveri, edhe sikur t'i kishte fituar në numër zgjedhjet, të jepte dorëheqje dhe ta çonte vendin drejt zgjedhjeve normale, pra t'i jepte Shqipërisë atë që quhet si certifikata për të vazhduar rrugën e integrimit në BE.

Prandaj, ne deklarojmë se një qeveri teknike do të ishte zgjidhja e vetme në situatën e krijuar. Kjo natyrisht kushtëzohet edhe nga rezultati, ku shihet se populli në shumicë ka votuar për largimin e kësaj qeverie, pavarësisht se më pas ky rezultat u sfumua nga shitja tani më jo e mandateve, por e partive.

Në spektrin e majtë është hapur një debat nëse opozita i humbi zgjedhjet dhe a duhet ajo ta njohë rezultatin e certifikuar nga KQZ-ja. Për ju, si duhet të veprojë opozita kundrejt kësaj çështjeje?

Këtu ka dy aspekte: E para, po ta marrim si e majtë, ajo i ka fituar zgjedhjet, pra, në kuptimin që votuesit e majtë rezultojnë shumicë përsëri, me gjithë mungesën e standardeve, me gjithë shitjet e brendshme, me gjithë lojërat e ndryshme politike. Pra, duke i futur të gjitha këto brenda, shohim se kemi më shumë se 50 mijë votues më shumë që i thonë jo Berishës, pra janë për një qeverisje të alternativës së majtë dhe janë kundër vazhdimit të një qeverisjeje të së djathtës me Berishën në krye.

Këtu, natyrisht përfshihen dhe votuesit e LSI-së, pasi ajo ishte partia që bërtiste më me forcë për largimin e Berishës dhe pretendonte se përfaqësonte socialistët e vërtetë. Madje ajo ka qenë në aleancë me PSV-në, e cila gjithashtu pretendon se është partia e socialistëve të vërtetë. Pra, ajo ka marrë vota që kanë qenë kundër Berishës. Prandaj, çdo njeri sheh se me votë populli ka fituar e majta dhe në mandate, e majtë e djathtë ka dalë barazim. Ndërsa, se çfarë pehlivanllëqesh ndodhin prapa, kjo është çështjeje tjetër, megjithëse pazari mes Metës dhe Berishës ishte bërë që më parë. Pra, kemi një fitore të së majtës me votë dhe një barazim në mandate. Dhe të dalësh barazim me mandate me Berishën në pushtet, sërish është një fitore.

Aspekti i dytë ka të bëjë me grupimin që krijojë PS-ja së bashku me aleatët, nëse ai fitoi ose jo. Këtu ka një problem, pasi ne, duke ditur sistemin dhe kushtet në të cilat zhvilloheshin zgjedhjet dhe duke ditur lojën e LSI-së, e cila jo se deshëm ne, por dihej që ishte një parti e dyzuar, për të mos thënë një mashë e Berishës, që ishte e detyruar të shtirej deri në fund si e majtë, pasi vetëm kështu mund të fitonin, atëherë, në këtë situatë, patjetër që duhet të dilnim forcë e parë. Pra, atëherë llogaritë duhet të bëheshin në këto rrethana. Në këto kushte, grupimi PS-PSD, pra, "Bashkimi për Ndryshim", nuk i bëri llogaritë e duhura për të arritur fitoren e vet. Ne si PSD nuk kemi menduar kurrë që ky koalicion mund të kapë 71-72 deputetë vetëm, por ishim të bindur që ai mund të dilte si forcë e parë, gjë që nuk ndodhi për 10-15 mijë vota.

Atëherë këtu janë disa arsye objektive, siç është mungesa e standardeve për të bërë zgjedhje të lira dhe demokratike, apo edhe siç është arsyeja që ka të bëjë me LSI-në, që luante me dy krahë. Për të dyja këto elemente ne na duhej krijimi i një bashkimi të fuqishëm i pjesës që mbeti. Këtë ne ia kemi thënë PS-së që një vit më parë. Gjithashtu, sistemi që aplikuam kërkonte një taktikë të mirëllogaritur, e cila kërkonte më shumë se kurdo tjetër një frymë bashkëpunimi maksimaliste dhe që s'ka të bëjë me numrin e partive që mbledh në koalicion.

Pavarësisht arsyeve, tashmë është fakt që opozita, për shkak të këtij rezultati, është përfshirë në një situatë të vështirë, ku vijojnë akuzat dhe kundërakuzat mes aleatëve, por edhe mes individëve për përgjegjësitë. Cili mendoni se mund të jetë zgjidhja për të korrigjuar këto defekte që u vunë re në këto zgjedhje?
Baza kudo është bashkimi. Por puna është se çfarë bashkon dhe si e përdor këtë bashkim dhe me sa sinqeritet e ke. Ne kemi më shumë se 8 vjet që kërkojmë bashkim, dhe kemi qenë edhe në prag të krijimit të bashkimeve, si me Nanon ashtu edhe me Ramën, duke filluar nga një bashkim PS-PSD. Keni parë që brenda së majtës ka patur korridore kundër bashkimeve dhe tashmë duket fare qartë pse LSI-ja nuk e ka dashur këtë bashkim.

Pikërisht tani e majta duhet të kuptojë se shumë vetë e kanë dashur të majtën të përçarë, për të patur sa më shumë hapësira për të luajtur. Pra, ne si e majtë duhet të pastrohemi nga këta elementë. Tezat apo moralet që inshalla humbet partia që të japë dorëheqjen kryetari për të dalë vetë, përsëri janë të papranueshme. Kështu që, në qoftë se ne punojmë që si e si të humbasë kryetari i radhës për t'i zënë vendin, atëherë s'fitohet asnjëherë.

Pra, ne themi se e majta në këto 4 vjet është shitur vazhdimisht dhe tashmë dihen dhe pazarexhinjtë e saj. Dhe në këtë kontekst, largimi i LSI-së është një pastrim që i bëhet së majtës, pasi ai pazarin me Berishën e ka bërë që më parë dhe s'do shkonte me të vetëm nëse koalicioni i majtë do të dilte forcë e parë. Pra, ky ishte një operacion që e majta, mesa duket, duhet ta kalonte.

Mungesa e rezultatit të kërkuar nga e majta ka hapur edhe garën për kryetarin e ri të PS-së, natyrisht pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit aktual. Në këtë kuadër, tashmë duket se do të kemi tre kandidatura për këtë post, Rama, Malaj dhe Blushi. Për ju cili prej ta mund të luante më mirë rolin si lider i opozitës?
Ne s'mund të hyjmë në emra, sepse është një konkurrencë brenda PS-së. Kjo pasi, për sa kohë flasim në emër të moralit të mospërçarjes, atëherë çdo ndërhyrje në preference emërore krijon probleme.

Megjithatë, do të uroja që gara të ishte garë kolegësh dhe jo garë lojërash. Në këtë kontekst unë dua të them se nuk ka shumë rëndësi emri, por fryma, pra PS-ja duhet të kishte kuptuar me kohë që s'mund të bëjë e vetme dhe se kundërshtari është fuqizuar shumë ekonomikisht dhe se ka gjetur shumë hapësira për të luajtur brenda së majtës nëpërmjet ish-liderëve të saj. Për këtë arsye, tashmë kërkohet një klimë tjetër, të krijohet ajo klimë që të mos punohet më me hile ndaj njeri-tjetrit. Pra, përfundimisht, e majta s'ka ç'të humbasë më dhe se asaj i duhen të gjithë. Natyrisht, duhet të largohen ata që kërkojnë të ndjekin rolin që luajti deri më tani LSI-ja brenda të majtës shqiptare.

Ju u shprehët më lart se ka më shumë rëndësi fryma sesa emrat, por për ta krijuar një frymë të tillë, duhet edhe emri i drejtuesit të një force. Ju si aleat, me cilin prej tyre do parapëlqenit të bashkëpunonit?

Ne me Ramën kemi patur përvojë pozitive, për sa kohë ai ishte individ, sepse në zgjedhjet lokale ka pranuar bashkëpunimin, pavarësisht se ai nuk ka qenë në favor të PSD-së, por ka qenë pozitive për të majtën. Ndërsa si kryetar i PS-së, taktika elektorale e kësaj force karshi aleatëve, në të gjitha zgjedhjet e fundit parlamentare, 2001, 2005 dhe 2009, ka ngjarë si dy pika ujë, pa ndonjë ndryshim, pasi janë vënë re të njëjtat gabime, pra është parë vetëm interesi i PS-së dhe jo i aleatëve.

Por, për hir të së vërtetës, kjo frymë s'ka qenë vetëm e kryetarit, por e gjithë lidershipit. Pra, ne nuk pamë që dikush në PS të kish një frymë tjetër në raport me bashkëpunimin. Prandaj nuk hyj tek emrat, sepse realisht nuk kemi parë asnjë nuancë për të ndryshuar këtë qëndrim. Dhe PS-ja si një e tërë, pa dallim të askujt e pranoi këtë sistem që ishte kundër aleatëve.

Pra ju mendoni se Blushi dhe Malaj, si anëtarë kryesie, kanë njësoj përgjegjësi për këtë rezultat, ashtu si Rama?

Askush prej tyre, në deklarimet që kanë bërë para e mbrapa, nuk kanë kritikuar asnjë prej këtyre fenomeneve.

Kjo garë brenda PS-së, a rrezikon një çarje tjetër të kësaj partie?
PS-ja s'ka ç'të çahet më. Duhet të kuptojmë të gjithë se përplasjet e brendshme na mbajnë të gjithë jashtë pushtetit. Bashkimi është ndarje e fitores dhe përçarja ndarje e humbjes. Këtë radhë nuk ka gjëra të mëdha parimore, pasi nuk vihet nga qeverisja, por thjesht ka një taktikë të gabuar në atë që theksova më lart, si dhe ka një frymë të gabuar në PS, që duhet ndryshuar.

Sa garanci mund të japë kryetari aktual, kur këtë frymë nuk mundi ta krijojë në katër vitet e shkuara?

Kjo është me përvoja. Unë di çfarë janë partitë, di gjithashtu sa përgjegjësi mban kryetari dhe deri ku shkon për një qëndrim të caktuar. Në qoftë se partia të jep siguri që i fitojmë zgjedhjet, kjo frymë përcillet edhe tek kryetari. Prandaj, këto janë disa marrëdhënie të brendshme, por ajo që duhet të kuptojë kjo forcë, është se duhet bashkëpunojë edhe me të tjerët pa hile.



Për kandidaturën e Ramës
"Ne me Ramën kemi patur përvojë pozitive, për sa kohë ai ishte individ, sepse në zgjedhjet lokale ka pranuar bashkëpunimin, pavarësisht se ai nuk ka qenë në favor të PSD-së, por ka qenë pozitive për të majtën. Ndërsa si kryetar i PS-së, taktika elektorale e kësaj force karshi aleatëve, në të gjitha zgjedhjet e fundit parlamentare, 2001, 2005 dhe 2009, ka ngjarë si dy pika ujë"

Për Malajn dhe Blushin
"Për hir të së vërtetës, kjo frymë s'ka qenë vetëm e kryetarit, por e gjithë lidershipit. Pra, ne nuk pamë që dikush në PS të kish një frymë tjetër në raport me bashkëpunimin. Prandaj nuk hyj tek emrat, sepse realisht nuk kemi parë asnjë nuancë për të ndryshuar këtë qëndrim. Dhe PS-ja si një e tërë, pa dallim të askujt e pranoi këtë sistem që ishte kundër aleatëve."

Për bashkimin e së majtës:
"Baza kudo është bashkimi. Por puna është se çfarë bashkon dhe si e përdor këtë bashkim dhe me sa sinqeritet e ke. Ne kemi më shumë se 8 vjet që kërkojmë bashkim, dhe kemi qenë edhe në prag të krijimit të bashkimeve, si me Nanon ashtu edhe me Ramën, duke filluar nga një bashkim PS-PSD. Keni parë që brenda së majtës ka patur korridore kundër bashkimeve dhe tashmë duket fare qartë pse LSI-ja nuk e ka dashur këtë bashkimin e së majtës."



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›