E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të "shtetëzohen" pronat e sindikatave

Vendimi i qeverisë, shteti do të marrë qiranë dhe fitimet e pronave të sindikatave. Paratë do t'i kalojnë ish-pronarëve

TIRANË- Zbardhet mënyra se si qeveria Berisha synon që të "shtetëzojë" pronat e sindikatave në Shqipëri. Në relacionin që shoqëronte projektvendimin e dy ditëve më parë, shpjegohet se gjendja e fizike e pronave që sindikatat kanë lëshuar me qira ose kanë shitur, nuk do të ndryshojë përveç faktit se të gjitha të ardhurat e përfituara nga kjo marrëdhënie midis palëve nuk do të kalojnë më në emër të sindikatave por në arkën e shtetit. Pra qeveria do të vjelë qiranë dhe fitimet që mund të vijnë nga pronat që kanë sindikatat duke ulur ndjeshëm buxhetin e këtyre të fundit. Sipas projektligjit të miratuar në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave bëhet fjalë për ato prona, ku në kontratat e lidhura me blerësit ose qiramarrësit, sindikatat kanë kaluar të drejtat që ligji iu ka lejuar atyre, ndërsa tashmë do të jetë shteti ai që do të hyjë në marrëdhënie direkte me investitorët.

Në lidhje me këtë, hartuesit e këtij projektligji iu janë referuar një ligji të miratuar në vitin 1998 për të njëjtën çështje sipas të cilit, pas marrjes së pronave nën administrim, sindikatat nuk kanë të drejtë që të bëjnë tjetërsim të tyre deri në vitin 2020. Referuar edhe fjalëve të kryeministrit gjatë mbledhjes së fundit, nga qeveria pretendohet se pas marrjes nën administrim, sindikatat kanë tejkaluar të drejtat që iu njihen nga ligji duke i lëshuar më qira afatgjata ndaj palëve të treta ose duke i shitur ato.

Nëse të ardhurat që lëvrohen nga marrëdhënia sindikatë-investitor kalojnë në favor të shtetit, situata ndryshon në qoftë se vetë sindikata është debitore kundrejt një investitori. Në këtë rast shteti nuk njeh asnjë përgjegjësi për shkak se sipas relacionit shpjegues të projektligjit, sindikatat nuk kanë qenë pronare të ligjshme të këtyre pronave.

Nga të dhënat e ofruara nga hipoteka një pjesë e mirë e pasurisë së sindikatave janë shitur, një pjesë janë lëshuar me qira, ndërsa ka edhe prona të tjera mbi të cilat nuk është kryer asnjë veprim duke i lënë në gjendjen e fillim viteve 90-të. Për sa i përket këtyre te fundit, kryeministri Berisha deklaroi se do të jetë shteti ai që do të investojë mbi to ndërsa më pas do t'ua shesë aksionet investitorëve të interesuar. "Që në momentin që ato do të rindërtohen, shteti është i gatshëm t'i shesë aksionet" - tha ai dy ditë më parë.

Krahas pronave që janë nën administrimin e investitorëve, një pjesë tjetër e tyre që deri në miratimin e këtij projektligji ishin nën administrimin e sindikatave do të vihen në dispozicion të fondit për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për identifikimin e tyre, është ngarkuar Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike. Ky proces duhet të përfundojë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij projektligji ndërsa për të gjithë procesin do të raportojë para Këshillit të Ministrave. Nga ana tjetër, brenda një afati kohor 60 ditë nga marrja e të dhënave, qeveria miraton fondin e pronave të paluajtshme të cilat vihen në dispozicion për kompensim fizik ndaj pronarëve sipas ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" dhe i ve në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›