E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjipali për ATSH: Shqipëria, përparim të dukshëm në negociatat me BE, progres domethënës në drejtësi

TIRANË, 11 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), Gledis Gjipali, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, lidhur me progresraportin 2025 të Komisionit Europian, vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, por thekson se sfidat mbeten të konsiderueshme, veçanërisht në fushat e dialogut politik, drejtësisë, administratës publike dhe mjedisit.

Sipas Gjipalit, gjatë vitit 2025 Shqipëria ka hapur negociatat për 5 nga 6 grup-kapitujt, duke kompensuar kohën e humbur nga vonesat e viteve të kaluara.

Ai thekson se ritmi i reformave duhet të rritet nëse vendi synon të mbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027.

“Ecuria deri më sot është tejet pozitive. Gjatë 12 muajve të fundit kemi hapur negociatat për 5 nga 6 grup-kapitujt duke fituar kohën e humbur nga bllokimi disavjeçar. Shqipëria po i afrohet kështu Malit të Zi e Serbisë, vende të cilat janë në negociata prej më shumë se dhjetë vitesh. Pavarësisht kësaj ecurie, ne duhet të rrisim ritmin e reformave nëse duam të arrijmë objektivin e vendosur, për mbylljen e negociatave në fund të 2027-ës. Pengesat kryesore që duhet të tejkalohen janë polarizimi i theksuar politik dhe dialogu i kufizuar parlamentar, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative për zbatimin e reformave”, shprehet Gjipali për ATSH.

Në vlerësimin e tij për sistemin e drejtësisë, Gjipali nënvizon se, reforma ka sjellë rezultate konkrete, sidomos me përfundimin e procesit të Vetting-ut dhe rritjen e kapaciteteve të SPAK, megjithëse mbeten sfida si vonesat në emërime, ndërhyrjet politike dhe efikasiteti i ulët institucional.

“Raporti evidenton se reforma në drejtësi ka treguar progres domethënës, veçanërisht me përfundimin e procesit të vetting-ut në shkallë të parë. Sidoqoftë, mbeten sfida si: ndërhyrja e vazhdueshme politike, vonesa në emërime, efikasiteti i ulët i KLGj dhe KLP në emërimin, promovimin, transferimin dhe vlerësimin e magjistratëve, gjë që ndikon në cilësinë dhe efikasitetin gjyqësor në të gjitha nivelet. Kanë filluar të zbatohen masa për uljen e stokut të çështjeve në gjyqësor, që është një nga problemet kryesore të sistemit të drejtësisë”, thekson Gjipali.

Megjithëse sfidat mbeten të mëdha, nënvizon ai, “Shqipëria ka dokumentuar përmirësime konkrete në sistemin e drejtësisë. SPAK ka rritur kapacitetin për të shkatërruar grupet e krimit të organizuar dhe përdorimi i hetimeve financiare është përmirësuar. KLGj mbas disa vonesash ka proceduar me emërime të reja të magjistratëve, duke kontribuar në uljen e vakancave në nivel shkalle të parë. Gjatë kësaj periudhe u miratua një strategji ndërsektoriale e re për Drejtësinë 2024-2030 që do ndihmojë në mirëmenaxhimin e sistemit. Përdorimi i hetimeve financiare është përmirësuar dhe asetet e lidhura me krimin e organizuar po sekuestrohen më efektivisht”.

Sa i përket ekonomisë, ai shprehet se, Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe një rritje të PBB-së prej rreth 4%, por paralajmëron për mangësi në planifikimin dhe ekzekutimin e investimeve publike, të cilat mund të ndikojnë në performancën ekonomike edhe pas anëtarësimit.

“Ekonomia e Shqipërisë ka treguar qëndrueshmëri të konsideruar dhe arritje në stabilitetin makroekonomik gjatë vitit 2024, sipas raportit. Rritja ekonomike ka mbetur e fortë me 4% rritje të PBB-së, e nxitur kryesisht nga kërkesa e fortë vendase, performanca e suksesshme e turizmit, dhe aktivitete ndërtimi të vazhduara”, shprehet Gjipali.

Megjithatë, shton ai, “Shqipëria përballet me sfidat strukturale të rëndësishme që kërcënojnë qëndrueshmërinë e arritjeve makroekonomike. Të ardhurat e qeverisë si përqindje e PBB-së mbeten të ulëta në krahasim me nevojat për investime publike të cilat vazhdojnë të mos zbatohen sipas planeve të parashikuara. Kjo është një mangësi që duhet adresuar pasi kapacitet e dobëta në planifikim dhe ekzekutim të projekteve do të ndikojnë në performancën e vendit dhe pasi të anëtarësohet”.

Në fushën e mjedisit, Gjipali vëren se, tranzicioni i gjelbër mbetet ndër pikat më të dobëta, për shkak të mungesës së investimeve të mëdha dhe harmonizimit të pjesshëm me legjislacionin e BE-së.

Ai shton se përparimi në reduktimin e ndotjes dhe menaxhimin e mbetjeve është i ngadaltë, ndërsa kërkohen financime dhe përpjekje të mëdha në vitet e ardhshme.

“Mjedisi është një nga pikat e dobta që evidentohet nga raporti, kjo dhe për shkak të investimeve të mëdha që kërkohen për të arritur standardet europiane. Ndërsa në fushën  e energjisë ka progres, te mjedisi vlerësohet që ka stanjacion në arritjen e standardeve europiane. Masat për luftën kundër ndotjes së ajrit, menaxhimi i burimeve ujore dhe trajtimi i mbetjeve kanë përparuar ngadalë. Në përgjithësi legjislacioni mjedisor dhe klimatik është i harmonizuar vetëm pjesërisht me atë të BE-së. Arritja e standardeve të BE-së në këto fusha do të kërkojë përpjekje dhe financime të rëndësishme në vitet ardhshme”, nënvizon ai.

Në përfundim, Gjipali thekson se, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit, por për të përmbushur objektivin e 2027-ës “duhet të ruajë ritmin e reformave, të forcojë institucionet dhe të krijojë klimë bashkëpunimi politik përtej interesave partiake”.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›