E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, fond për restaurimin e Mozaikut

Një prej monumenteve më të rralla të artit paleokristian në jug të Shqipërisë, mozaiku shumëngjyrësh i vendosur në dyshemenë e kishës së dikurshme të Antigonesë, pritet të marrë së shpejti ndërhyrje restauruese me fonde të Ambasadës gjermane. Arkeologët dhe specialistët e parkut Arkeologjik kanë kërkuar mbështetjen e donatorëve për të shpëtuar Monumentin që daton në shek. V-VI të erës sonë dhe që ka probleme serioze të bazamentit të tij, ndërsa ka humbur qindra tesera.
 

Ambasadorja gjermane e ka vizituar personalisht mozaikun para se të fillojë ndërhyrja restauruese, ndërsa shpreson që burokracitë të marrin fund shpejt për të shpëtuar këtë Monument ,që sic u shpreh Carola Müller-Holtkemper, mbart vlera unikale.
 

"Specialistët sapo më bënë një përshkrim të përmbledhur rreth këtij mozaiku dhe gjendjes aktuale të tij. Monumeti bën pjesë në trashëgiminë materiale të Antigonesë dhe Shqipërisë. Pas restaurimit të parë rreth viteve 80 ai pothuajse u braktis dhe tashmë po përballet me probleme serioze të strukturës së bazës së tij. Ne u treguam të gatshëm t`i japim autoriteve një dorë për të përballuar restaurimet e këtij thesari kulturor.
 

Ende ka disa cështje administrative për tu zgjidhur, por unë jam optimiste se dialogu do të jetë i mbarë dhe ne do të na bëhet e mundur të shpëtojmë këtë pjesë shumë intersante të një vepre arti. Sic e pashë ka motive pagane brenda një vepre arti që formojnë dyshemenë e një objekti kristian. Unë pak mund të them për rëndësinë e këtij fakti, por specialitët mendojnë se është shumë shumë e rrallë"-tha Ambasadorja gjermane.
 

Kisha paleokristiane e Antigonesë, përvecse ndërtimit dhe planimetrisë së vecantë pozicionit gjeografik që mbart , dallon edhe nga mozaiku i zbuluar në të, i cili shfaq një figurë me trup njeriu dhe me kokë qeni, ose një figurë sfinksi pagan. Kjo figurë është e identifikuar me Shën Kristoforin dhe përbën shembullin më të vjetër të kësaj paraqitje ikonografike. Mozaiku që të paktën në 30 vitet e fundit nuk është restauruar asnjë here, përbëhet nga miliona tesera guri me ngjyra dhe figura qëndrore, qarkohet nga motive gjeometrike, dhe elementë dekori floreale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›