Gjirokastër, kapen 93 kg mariuanë, 3 korrierët dhe pronari shpallen në kërkim
P
olicia e Gjirokastrës ka sekuestruar 93 kilogramë mariuanë ndërsa ka mundur të arrestojë vetëm njërin prej transportuesve të drogës. Tre shokët e tij kanë mundur ti shpëtojnë prangosjes së policisë dhe tashmë janë shpallur në kërkim. Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës bën të ditur se rreth orës 02:30 të së mërkurës, në pyllin me pisha poshtë fshatit Nepravishtë Gjirokastër, 4 persona po transportonin 3 çanta shpine të mëdha, që dyshohet se ishin me lëndë narkotike për në drejtim të kufirit me Greqinë.
Uniformat blu janë afruar në një distancë rreth 50 metra dhe u kanë bërë thirrje të ndalojnë, por shtetasit që transportonin lëndën narkotike kanë braktisur çantat dhe janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira dhe terreni mjaft i pyllëzuar dhe i vështirë.
Policia është vënë në ndjekje të tyre dhe ka mundur të arrestojnë vetëm Hajri Bucin, 28 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës. Ndërkohë, nëpër shkurrë janë gjetur tre çanta të mëdha, brenda së cilave ndodheshin 66 pako me lëndë narkotike të mbështjella me letër natriban , disa prej tyre edhe me mbishkrime, me peshë të ndryshme nga 1.2 kilogramë deri në 1.5 kilogramë një pako, gjithsej rreth 93 kilogramë mariuanë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, disa sende personale të personave të dyshuar dhe prova të tjera materiale që shërbejnë për dokumentimin me prova ligjore të autorëve të këtij trafiku.
Operacioni për kapjen e këtyre personave po vijon ende ndërkohë që është shpallur në kërkim edhe pronari i lëndës narkotike një shtetas nga fshati Lazarat, i cili kishte paguar katër personat për të transportuar lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek nëpërmjet kufirit jeshil ku lëndën narkotike do ta priste një shtetas grek.
29 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Gjirokastër, kapen 93 kg mariuanë, 3 korrierët dhe pronari shpallen në kërkim burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip