Gjirokastër, zjarri rrezikon banesat
Një zjarr i fuqishëm ka rrezikuar djegien e pesë banesave në fshatin Peshkëpi e Poshtme në rrethin e Gjirokastrës.Gjithçka ka ardhur si pasojë e mbërritjes së rrymës së flakëve nga një faqe mali rreth 2 km në vijë ajrore me zonën e banuar. Banorët e fshatit kanë qenë të parët të cilët me mjete rrethanore, u vunë në alarm për shuarjen e flakëve të cilat nuk mendoheshin se do të kërcënonin mjaft zonën e banuar. Ndërsa flakët e zjarrit pas disa orësh, arritën të shkrumbonin 15 ha kullota, një hangar me bar dhe djegien e drurëve frutorë në pesë bahçet e banesave që rrezikoheshin nga djegia. Forcat policore kanë shkuar urgjentisht në vendngjarje e bashkë me to edhe efektivat e PMNZSH-së, të cilat pas disa orëve, arritën të vinin flakët nën kontroll të plotë dhe çliruar nga frika, banorët e zonës. Policia e Gjirokastrës ka shoqëruar tre persona të dyshuar si zjarrëvënës në fshatin Peshkëpi e Poshtme. Në krah të policëve dhe efektivave zjarrfikës janë vënë edhe banorët e fshatit, të cilët me mjete rrethanore po përpiqen të shuajnë zjarrin. Gjendja alarmante e zjarreve në Rajonin e Gjirokastrës, ka shqetësuar edhe drejtuesit e policisë. Zv.drejtori i Policisë së Qarkut, Adriatik Tafçiu, në një dalje publike mesditën e së dielës, bëri të qartë se vetëm në dy muajt e fundit në rajon janë shënuar dhjetëra vatra zjarri, çka e bën ashtu si edhe vitet e tjera qytetin me problematik për sa i përket këtij fenomeni. Në Qarkun e Gjirokastrës gjatë gjithë sezonit veror, janë konstatuar 37 raste zjarri, prej të cilëve 11 raste konsiderohen aksidentale, 16 raste nga pakujdesia, dhe 10 kanë qenë zjarre të qëllimshme. Për të gjithë këto raste zjarri, nga ana e strukturave të Policisë janë kryer veprimet proceduriale dhe si rezultat janë ndaluar dhe arrestuar gjashtë persona si autorë të zjarrvënies me qëllim, si dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë 16 të tjerë si autorë të zjarrvënies nga pakujdesia-shprehet Tafciu. Për dy rastet e së shtunës policia e Gjirokastrës po ndërmerr veprimet proceduriale dhe pas përfundimit të tyre, pritet të operohet me ndalimin ose arrestimin në flagrancë të autorëve. Nëndrejtori premton se Policia e Qarkut, është e vendosur të vazhdojë të veprojë me gjithë ashpërsinë e ligjit për të ndëshkuar cilindo person që do të rezultojë autor i zjarrvënies me qëllim apo nga pakujdesia. Duke përfituar nga rasti zv.drejtori i Policisë së Gjirokastrës Adriatik Tafçiu, i ka bërë edhe një herë thirrje barinjve dhe banorëve të fshatrave të komunave, të tregojnë kujdes, për të mos shkaktuar zjarr në kullota, pasi kjo është vepër penale dhe do të përgjigjen ligjërisht.
6 persona
janë arrestuar për zjarrvëniet e muajve të fundit nga Policia e Gjirokastrës. Sipas nëndrejtorit të Policisë, do të vihen para përgjegjësisë ligjore
GJIROKASTER/ PIRO NASE