E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrimi i gruas, flet nëna: I lutem vrasësit të më kthejë kokën e vajzës

Bukurie Arapi, nëna e viktimës së masakruar

Nuk hap mort pa u gjetur koka e Lilianës. Bukurie Arapi, nëna e vajzës që u masakrua 3 ditë më parë nga 84-vjeçari, Gaqo Dumka, i ka mbyllur dyert e apartamentit në katin e katërt, aty ku jeton në qytetin e Bilishtit.Pas disa trokitjesh të dështuara dhe thirrjesh për bisedë, më në fund, përmes vrimës së çelësit, kthen disa përgjigje përzier me vajtime. Kërkon që të dijë se çduam ne aty, por pa na lënë kohë ta sqarojmë, bërtet vetë: Ja, këtë dua unë. Dua kokën e Lilit këtu në shtëpi. Mos mi bini më derës pa më sjellë kokën e saj. Sakaq, hap krejtësisht derën dhe me duart e saj në kokë që i bie me grushte, përmend sërish pak a shumë të njëjtat fraza: Këtë që po prek unë dua. Nuk ka punë këtu njeri, pa ardhur koka e saj. Përpiqemi që ta qetësojmë, por edhe ta pyesim
Kur e keni parë për herë të fundit Lilianën?
Para një muaji.
Ju bëri vizitë ajo në shtëpi?
Jo, jo, shkuam ne në Korçë. U lidhëm me telefon dhe ajo na la takim në një lokal atje në qytet.
Pse në lokal dhe jo në shtëpinë e saj?
Aty ishte gjithë puna. Ajo nuk na tregonte se ku e kishte shtëpinë dhe sa herë i kishim kërkuar për ta vizituar, na nxirrte ndonjë pretekst. Ndonjëherë edhe nuk na fliste. Sajonte gjithçka vetëm e vetëm për të na shmangur.
E dinit ju si prindër që Liliana jetonte me 84-vjeçarin, Gaqo Dumka?
Joooo, nuk e dinim. Nga bisedat që kemi pasur, edhe pse jemi zënë shpesh, ajo thoshte se jetonte me disa shoqe dhe ndante qeranë me to. Sipas Lilit, ne nuk duhet të shkonim në shtëpinë e saj, pasi shoqet i kishte tekanjoze dhe bezdiseshin shpejt.
Dyshonit se po ju gënjente?
Sigurisht që ne kishim dyshimet tona, ndaj këmbëngulëm aq shumë para një muaji që ta takonim. Jo se dyshonim për ndonjë person konkret, por vetëm e kuptonim që po na gënjente. I kërkuam që ta merrnim me vete, por ajo nuk erdhi. U përpoqëm më pas edhe me metoda të tjera, por sërish nuk u kthye.
Çfarë metodash?
Fillimisht i bëmë presion vetë, por nuk e hëngri. Më pas shkuam në policinë e Korçës për të bërë denoncimin.
E bëtë?
Policia e Korçës i mori të dhënat, por na thanë se nuk mund të bënin dot asgjë për këtë çështje. Sipas tyre, duhej të merrej Policia e Bilishtit, duke qenë se si ne, ashtu edhe Lili, ishim me gjendje civile këtu.
Ju jeni interesuar vetëm para 1 muaji për ta kthyer Lilianën në shtëpi, ndërkohë që ajo kishte dy vjet e larguar nga shtëpia. Çfarë arsyeje ju dha ajo kur u largua dhe pse pritët kaq gjatë, para se ti kërkonit që të kthehej në shtëpi?
Ne nuk i kemi kërkuar asnjëherë Lilit që të largohej nga shtëpia. Ka qenë një vendim i saj, sepse ne në shtëpi mbetëm 4 veta, të gjithë pa punë. Tre nga ne: unë, im shoq dhe djali i vogël, jemi edhe të sëmurë. Ajo, si më e shëndetshme, na tha që ka gjetur një punë të mirë në Korçë si rrobaqepëse dhe do të na ndihmonte me para për ilaçe. Na bindi dhe e lamë deri para 1 muaji, kur edhe nisëm të kemi dyshime të forta se nuk po jetonte me shoqe. Iu lutëm të kthehej, por ajo nuk kishte moshë që ta detyronim me zor. Nuk kishte më moshë as ta rrihnim.
Por kishte moshë për të jetuar me një 84-vjeçar, 42 vjet më të ri se vetja?
(Rënkon). I vdekuri nuk gjykohet moj çupkë, lëreni të qetë. Mbase e ka bërë dhe nga halli, nga ta di unë tani. Fukarallëku është i rëndë dhe pasha e tij të përkul dhe para ndyrësive Lëreni tani, mos ia trazoni më shpirtin, apo pak ju duket që nuk po i mblidhet trupi?! Ka gabuar, na ka gënjyer, veç duhet ta keni dëgjuar që prindi e merr vesh i fundit.
Po lajmin e vrasjes kur e morët vesh?
Ja, prapë të fundit. E kishin dhënë të gjitha televizionet, por ne hiç mendjen. Vetëm kur na trokiti policia në derë dhe na mori për identifikim.
Ju e identifikuat, jeni e sigurtë që viktima është vajza juaj, Liliana?
Jam shumë e sigurtë. Me dhimbje të madhe e pranoj se është ajo.
Ku jeni bazuar për identifikimin?
Nga rrobat që na sollën. Ishin po të njëjtat që kishte veshur kur e takuam para një muaji.
Vetëm nga rrobat? Po nga trupi?
Trupin ende nuk e kemi parë. Nuk na e tregojnë pa iu gjetur edhe koka. Kushedi ku ia kanë fshehur të tjerët
Ku e ka fshehur Gaqo, deshët të thoni?
Jo moj jo, çfarë Gaqo thua, ata të tjerët.
Kush janë këta të tjerë?
A djemtë e tij, a dikush tjetër, nuk e di unë se kush janë. Vetëm e di që ky plaku (Gaqo) nuk e ka bërë vetë atë krim, por nuk tregon. Kërkon që të mbulojë të tjerë që e kanë masakruar Lilin në shtëpinë e tij. Mbase ka ndihmuar ai në vrasje apo i ka lënë të tjerët të përdorin shtëpinë e tij, këtë nuk e di.
Pse jeni kaq e sigurtë, kur Gaqo Dumka ka pranuar autorësinë dhe policia e ka konfirmuar atë si vrasës?
Sepse vajza tjetër, Marjeta, që jeton në Zvicër, e ka marrë në telefon Gaqon ditën e vrasjes dhe ai i ishte shprehur shumë i shqetësuar që kishte dy ditë që nuk e kishte parë Lilin.
Pra, ju e paskeni ditur që Liliana jetonte me Gaqon, derisa keni patur dhe kontakte telefonike?
Ne si prindër jo. Absolutisht jo. Vetëm dje e morëm vesh dhe këtë muhabet na e tha Marjeta. Ajo siç duket e ka ditur, por po e presim që të vijë në shtëpi dhe të na e sqarojë këtë muhabet. Duhet të mblidhemi si familje dhe të mendojmë për ceremoninë e varrimit.
Kur do ta bëni?
Kur të më sjellin kokën e vajzës. Si ta fus në arkivol pa kokë?! Si ta qaj Lilin pa kokë?! (Fillon sërish ti bjerë kokës së saj me grushte. Pas disa minutash, e pyesim sërish).
Po policia, çfarë ju ka thënë?
Ata thanë se po përpiqen shumë, por vrasësi nuk tregon se ku e ka çuar. Më premtuan se do ta gjejnë brenda 3-4 ditësh, shpresoj dhe lutem në zot që të paktën kjo të jetë e vërtetë.
Po nëse nuk është e vërtetë? Nëse policia nuk do të arrijë dot që ta gjejë kokën
Atëherë do ti lutesha vrasësit, kushdo qoftë, që së paku të më kthejë kokën e Lilit.
Vetëm me lutje?
Po çfarë mund të bëjë tjetër unë, hë më thuaj? Unë dhe im shoq, jemi të dy me shëndet të ligë, të moshuar. Djali im ka zhvillim të vonë mendor. Tjetri është ndarë dhe ka familjen e vet, jeton larg nesh. Një vajzë tjetër e kam të martuar me një kosovar dhe jeton në Zvicër, por edhe me atë nuk marr vesh tamam se çbëhet. Shihe varfërinë në këtë apartament dhe më thuaj. Jemi të shkatërruar dhe me këtë hall që na ra, vetëm lutjet na kanë mbetur se çdo gjë tjetër kushton me lekë. Po ishin prindër vetë ata gjykatës që do të dënojnë vrasësin apo vrasësit, le të na mendojnë neve në ato çaste kur ti gjykojnë.

Fëmijët e Gaqos

Edhe pse jetonte vetëm në shtëpinë me qera, Gaqo Dumka kishte dy djem dhe një vajzë. Siç mësohet nga fqinjët, duket se me asnjë prej djemve nuk kishte raporte të mira, përveçse me vajzën, Marjetën. Kjo e fundit jetonte në Greqi, ashtu sikurse një vëlla tjetër i saj, Marjeta kthehej herë pas here në Korçë për të vizituar babanë. U përpoqëm që të flisnim me të, por ajo ndodhej në kushte të rënduara psikike. Ndërkaq, referuar asaj çfarë ka deklaruar në polici, mësohet se Marjeta nuk ka pasur dijeni për historinë rozë të babait 84-vjeçar me vajzën 42-vjeçare nga Bilishti, Lilianën. Sipas policisë, por edhe sipas asaj çfarë pamë vetë, Marjeta dukej e shokuar.

sherri

I kanë dëgjuar shpesh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›