E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjirokatër, Musine Kokalari kujtohet në 104 vjetorin e lindjes nga të rinjtë e QK”Fato Berberi”

Është përkujtuar në 104 vjetorin e lindjes një prej figurave më dinjitoze të qëndresës kundër diktaturës komuniste, intelektualja Musine Kokalari. Ishin fëmijët e Qendrës Kulturore “Fato Berberi” që organizuan një aktivitet në nder të asaj që i bën të ndihen krenarë që janë gjirokastritë. Në qendër të organizimit që mbante titullin e një prej veprave të saj “Sa u tund jeta” të rinjtë sollën pjesë nga krijimtaria e saj, ku u fokusuan te dasma gjirokastrite me ritet, zakonet, këngët e vallet e kënduara. Theksi u vendos edhe në rolin edukues dhe emancipues të të gjithë veprës së Musinesë duke nxjerrë në pah figurën e saj si e para femër intelektuale shqiptare.

“Është një aktivitet masiv në nder të femrës së parë shkrimtare, gruas që solli emancipimin me veprën e saj, me mënyrën e jetesës, me shkollimin e saj, Musine Kokalarit. Krenohemi që është një vajzë gjirokastrite, që ka dalë nga këto shtëpi dhe e menduam si detyrën tonë, për t’i mësuar fëmijëve se dhe në ato vite shpirti i një njeriu të emancipuar, të qytetëruar, shpirti i lirë i një femre nga qyteti ynë bëri që emri i saj të dëgjohet kudo. Fëmijët me shumë kënaqësi mblodhën materiale, veprën e saj, pak të dëgjuar në ditët e sotme, megjithatë me shumë vlerë etnografike, ku mblodhi folklorin e qytetit tonë, fjalët e ralla po kaq të çmuara. Ajo nuk e ironizon jetën e popullit të saj, por e ngre në këngë dasme, në krijimet, meditimet që ajo shkruan për të na treguar se nuk ishte një jetë e bukur, por ishte jeta e popullit të saj, që ia vlen ta respektosh, ta emanciposh dhe qytetërosh.”- shprehet Arlisa Gushi, instruktore në qendrën kulturore.

Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 dhe shkrimtarja e parë femër që shkroi në gjuhën shqipe. Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe një shkollë në Tiranë tani mban emrin e saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›