Rama në kantierin e rindërtimit në Laç ku po punohet me tre turne, 524 apartamentet gati nga fundi i gushtit

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet që po kryhen në kuadër të rindërtimit në qytetin e Laçit, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
I shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, Kryeministri Rama pa nga afër punën që po bëhet në Laç për ndërtimin e pallateve të reja në lagjet e reja dhe kantierin e përroit.
Kryeministri Rama tha se “qëlloi keq si kohë, por faktikisht tani është koha që me tre turne të punohet normalisht. Ashtu e kishim bërë dhe ne si plan që me ngrohjen e kohës të fillonim me tre turne gjithandej, por janë ditët me shi të kalojnë e këto. Në Turqi 400 dollarë e kanë pagën punëtorët në kantieret e Turqisë, që është puna bazë e këtushme, por rëndësi ka që po ecet mirë u hoq pjesa më e vështirë, e padukshme tani fillon pjesa e dukshme”.
“Shumë mirë edhe me shtëpitë ata që i kanë në pika problematike në kuptimin gjeografik, gjeologjike, të marrin lekët e pastaj të ndërtojnë ku të duan është puna e tyre”, – tha Rama.
Ahmetaj tha se “i kam kërkuar kryetarëve të bashkive, ju e keni nxjerrë kontratën tip me qytetarët, ku i jep të drejtë qytetarëve ta zotërojnë shtëpinë, ta trashëgojnë, ta japin me qira, ta shesin të bëjnë ç’të duan. U kam kërkuar kryetarëve të bashkive, por edhe shtytja juaj do t’i shtyjë akoma më shpejt që të fillojnë kontratat menjëherë”.
Kryeministri Rama u shpreh se “është shumë e rëndësishme për banorët që kanë apartamente që mund të jenë më ankth apo pasiguri u jepet kontrata në dorë u thuhet ky është afati për çdo kalim afati penalitetet i paguan shteti. Të jetë një kontratë tamam si me çdo investitor apo ndërtues e në këtë rast me shtetin. Madje shteti është më korrekt në këtë rast se nganjëherë ndërtuesit si njohin penalitetet. Ne nuk kemi justifikime për çfarëdo lloj arsye njerëzit nuk mund të rrinë të presin përtej afatit kontraktual megjithëse janë me bonus qiraje”.
Ministri Ahmetaj tha se “jemi në një nga lagjet e reja dhe kemi godina që kanë ecur në katin e pestë. Cilësia e punimeve është shumë e mirë, janë 524 apartamente, 400 parkime, një qendër tregtare, njësi shërbimi dhe ambiente komunitare”.
“Kjo lagje po ndërtohet nga kontributi i qeverisë turke. Ndërsa lagjja tjetër po ndërtohet nga FSHZH”, – shtoi Ahmetaj.
“Deri në fund të marsit të gjitha godinat do të jenë me kate përfundimtare. Gjithë sajti do të mbyllet në fund të gushtit, fillim të shtatorit. Sa më shpejt do të mbaroj aq më shpejt do të marrë frymëmarrje qyteti”, – tha Ahmetaj.
Kryetarja e bashkisë së Kurbinit Cara tha se “punimet për sistemimin e përroit po ecin shumë mirë. Ka qenë jo pak favorizuese koha, por është punuar me ritme të larta dhe me turne me kohë të gjatë”.