Gjoba farmacive bujqësore që tregtojnë pa kushte
FIER- Pesë farmaci bujqësore, një në qytetin e Fierit dhe katër të tjera në zonat rurale janë ndëshkuar me 100.000 lekë gjobë nga specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit . Parregullsitë e konstatuara në lidhje me kushtet e ruajtjes, ambalazhimit dhe personelit shërbyes kanë bërë që inspektorët e Inspektoriatit Ushqimor jo vetëm t’i ndëshkojnë me gjobë por t’i lënë detyra dhe t’i paralajmërojnë për bllokim të aktivitetit. Drejtori i Bujqësisë së Qarkut Fier, Fatos Troka, lidhur më këtë tha se “Evidentimi dhe ndëshkimi i farmacive bujqësore që tregtojnë në mënyrë të jashtëligjshme kimikate dhe helme të ndryshme që përdoren në bujqësi për mbrojtjen e bimëve, ka qënë objektivi i kontrolleve të Inspektoriatit Ushqimor. Tregtimi i herbicideve dhe pesticideve të ndryshme si dhe fostoksinës, ( helm që përdoret për të luftuar minjtë) në vende të papërshtatshme dhe nga persona të pa licencuar paraqet rezik për jetën e banorëve dhe të vetë tregtarëve”. Sipas tij, ruajtja, magazinimi tregtimi dhe mënyra e përdorimit të këtyre helmeve duhet të bëhen nga njerëz specialistë, pasi tregtimi i tyre në rrugë dhe pranë qendrave të banuara dhe publike ndalohet me ligj.
Rreth 10 % e farmacive bujqësore në rrethin e Fierit ushtrojnë aktivitetin, të pa pajisura me lejen përkatëse. Inspektorët e DRBUMK kanë kaluar në sitën e kontrollit pothuajse të gjitha farmacitë bujqësore që operojnë në rrethin e Fierit. Shumë nga të punësuarit nuk kanë licencë dhe nuk janë specialistë të kësaj fushe. Sipas Trokës, kryesisht shkeljet ligjore dhe parregullsitë konsistojnë se farmacitë nuk janë të pajisura me lejen fito-sanitare për tregtimin e imputeve bujqësore. Shpesh në farmaci shërbejnë punonjës që nuk janë specialistë në këtë fushë dhe nuk kanë arsimin dhe njohuritë përkatëse. Godinat dhe ambientet ku janë depozituar këto impute nuk janë të përshtatshme, pra nuk i plotësojnë standardet, duke dëmtuar efektshmërine e preparateve bujqësore dhe duke ndikuar në ndotjen e mjedisit. "Ne kemi rritur frymën e bashkëpunimit institucional me njësitë e qeverisjes vendore dhe organet tatimore, për përmirësimin e gjendjes",- pohon Troka. Sipas tij, u është lënë afat të gjitha farmacive të kontrolluara për shkeljet e konstatuara dhe në përfundim të afatit do të bëhet mbyllja e aktivitetit të tyre, në rast se gjendja nuk është përmirësuar.