Çmimet, peshkatarët e Sarandës blejnë naftë në Greqi
SARANDË- Pas kërkesave të vazhdueshme të peshkatarëve në të gjithë vendin për t’u ndihmuar nga ana e shtetitpër të përballuar çmimin e rritur të naftës, pas protestave të tyre për këtë qëllim, qeveria jo vetëm që nuk u tregua e gatshme për t’i ndihmuar, por me heshtje i vuri peshkatarët para dilemës që të vazhdonin apo jo mjeshtërinë me të cilën mbanin familjet e tyre me të ardhura. Në këto kushte, kur peshkarexhat e tyre u ndaluan në bankinat e porteve për muaj të tërë, kur rrjetat po kalbeshin nga mospërdorimi, peshkatarët u detyruan, me borxhe, të përballonin kostot e rritura të karburanteve. Por tashmë ata kanë gjetur një zgjidhje për të vazhduar mbijetesën.
Peshkatarët e Sarandës kanë gjetur një rrugë shpëtimi duke e blerë naftën e tyre në shtetin fqinj, në Greqi. Ata shkojnë herë pas here në Portin e Korfuzit ku ky produkt është ndjeshëm më i lirë se sa në qytetin e Sarandës. Dhe sipas llogarive të tyre nuk iu del keqNë ishullin e Korfuzit një litër naftë, i konvertuar në lekë, blihet deri në 120 lekë, ndërsa në Sarandë ky çmim shkon deri në 160 lekë litri. Vetëm në një litër naftë fitohet 40 lekë, e thënë ndryshe një e treta e çmimit. Pikërisht kaq do të ishte edhe akciza që ofronte shteti për këtë sektor, që kërkon mbeshtetje. Për këtë diferencë u luftua aq shumë e njëkohësisht u kumbëngul po kaq për të mos lëshuar nga ana e qeverisë. Vetëm peshkarexhave të Sarandës për një muaj iu nevojiten deri në 15 mijë litra karburant, ndaj edhe furnizimi në Korfuz është me leverdi. Peshkatari Gjergj Ahmeti është njëri prej njerëzve të sapo është kthyer nga furnizimi në Korfuz. Ai tregon se këtë veprim e ka ndërmarrë e gjithë flota e peshkimit të Sarandës dhe se është shumë fitimprurës. “Kemi leverdi në çmim por edhe në cilësi. Distanca nga Saranda në Korfuz nuk është e madhe dhe nuk harxhojmë karburant, pasi e llogarisim që të nisemi nga vendi i peshkimit në det të hapur, të furnizohemi dhe të rikthehemi përsëri në peshkim. Duke parë këtë leverdi tani kanë filluar edhe peshkatarët vlonjatë të veprojnë po kështu. Rrugëzgjidhja, duke u furnizuar në Portin e Korfuzit, ka bërë të mundur që të gjitha peshkarexhat të dalin në punë dhe qytetit të Sarandës të mos i mungojë peshku”,- pohoi peshkatari. Zgjidhja e problemit të çmimit të karburanteve nga vetë peshkatarët ka ulur edhe tensionet e krijuara me Ministrinë e Bujqësisë dhe drejtorinë e Peshkimit, pasi është shmangur kërkesa e vazhdueshme e subvencionimit nga shteti i shtesës së çmimit.
Nga ana tjetër, peshkatarët kërkojnë nga shteti që mos rrijë indiferent përpara këtij problemi por të krijojë lehtësi të tjera duke ndërhyrë tek shteti grek si për taksën portuale, burokracitë dhe vonesat e krijuara shpesh. “Shteti shqiptar duhet të përllogarisë humbjet që i shkaktohen duke e blerë këtë produkt në Korfuz dhe duhet marrë parasysh që kjo blerje bëhet në monedhën europiane, e cila shkon për logari të fqinjëve. Vetëm në Sarandë tërhiqen 180 000 litra naftë në vit, shto këtu edhe dyfishin e kësaj shume, që i përket peshkimit të Vlorës shkon në 500 000 litra”,- thanë dje peshkatarët e Sarandës. Sipas përllogaritjeve që ata kanë bërë, 60 milionë lekë të reja e më shumë dalin nga Shqipëria vetëm për shkak të blerjes së karburantit nga peshkatarët në Korfuz.