Gjoka prezantohet tek “Skënderbeu”: Kam ardhur me dëshirë shumë të madhe

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Ernest Gjoka është prezantuar sot zyrtarisht si trajneri i ri i “Skënderbeut” të Korçës me kontratë për një vit e gjysmë, pas largimit të teknikut Ivan Gvozdenovic për rezultate të dobëta.
Gjoka do të drejtojë sërish një klub në Superligë, pasi aventura e tij e fundit ka qenë me Kukësin deri në korrikun e 2019-ës.
54-vjeçari nga kryeqyteti do të debutojë të enjten kundër ‘KF Tiranës’ në Korçë, sfidë e javës së 16-të në Superligë.
Në praninë edhe të presidentit Ardian Takaj, Gjoka u prezantua para mediave dhe tha se është në një ekip me histori.
“Puna jonë në ditë të vështira matet dhe vlerësohet. Ishte e lehtë se kur vjen propozim nga presidenti Takaj për “Skënderbeun” nuk mund të thuash dot jo. Kam ardhur me dëshirë shumë të madhe dhe pse nuk është në situatë të mirë, ndoshta duhet të ishte diku më sipër në tabelë, por vështirësitë e punës sonë këto janë. Në momente të caktuara, përvojën dhe eksperiencën që kemi ta japim dhe të bëjmë mirë për një skuadër me histori si Skënderbeu”, tha ai.
Gjoka u shpreh se beson tek objektivat e skuadrës.
“Po të mos besoja nuk do kisha ardhur sot. Në futboll duhen orë pune se pa orë nuk mund të japësh atë që ke, filozofinë që do. Kam besim që për dy ditë do ndryshojmë diçka në ekuilibrin dhe anën psikologjike të skuadrës”, tha Gjoka.
Presidenti i “Skënderbeut” Ardian Takaj beson tek përvoja e Gjokës, duke zbuluar se trajneri ka firmosur për një vit e gjysmë.
“Ky është vendimi i klubit, që për një vit e gjysmë këtë klub ta drejtojë Ernest Gjoka. Besoj e dini dhe vetë se ka përvojë shumë të madhe në Superligë, ka dhe eksperienca jashtë Shqipërisë, besoj me punën, me profesionalizmin, besoj do na ndihmojë dhe neve dhe veten e tij, për të pasur rezultate për pretendimet që ka klubi ynë. Nuk heq dorë nga pretendimet, nuk kemi ardhur në Superiore vetëm për të marrë pjesë. Që nga fillimi i sezonit kemi pasur pretendimet, kemi skuadrën, njohim cilësitë e Superiores dhe çfarë cilësie kemi vetë, nuk kemi pretendime në ajër, por reale”, u shpreh Takaj.
Në karrierën e tij të gjatë Gjoka ka drejtuar Apoloninë, Kamzën, Tomorin, Flamurtarin, Kukësin, Vllazninë, Shkëndijën, Ohod në Arabi dhe tanimë Skënderbeun.
Gjoka ka fituar pesë trofe në karrierë, Kampionatin, Kupën dhe Superkupën me Kukësin, Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin dhe një titull kampion i Maqedonisë së Veriut me Shkëndijën.
Pas javës së 15-të Skënderbeu me 13 pikë mban vendin e parafundit në renditje. /j.p/