Gjokutaj: Vendimi për arrestimin e Metës bazohet në hamendësime

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Genc Gjokutaj, avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e cilësoi sot arrestimin e këtij të fundit si të bazuar në hamendësime.
“Qëndrimi ynë është kundër SPAK-ut dhe Gjykatës ndaj kësaj mase, që nuk ka asnjë lloj kriteri, qoftë të përgjithshëm, qoftë të veçantë për t’u vendosur. Meta ka qenë gjithmonë në dispozicion të hetimit, edhe nga pikëpamja e dyshimit të arsyeshëm që duhet të bazohet në prova mund të them që është një vendim i tipit thashethem. Është kërkuar letërporosi, treçereku me përgjigje negative dhe bëjnë lidhje të tipit që blerja mendohet të jetë bërë në këtë orë dhe është marrë një e dhënë që brenda asaj ore është bërë një tjetër lëvizje. Pra, është një vendim që bazohet në hamendësime, të ndërthurura me rrethana të caktuara. Ajo që mbetet për t’u thënë, në tre procedimet që ata i kanë bashkuar, është fakti që kjo metodë u ka dhënë goxha dorë. Ju do të shihni në të ardhmen që situata është krejt tjetër”, tha Gjokutaj.
Avokati foli edhe për kallëzimin e Partisë së Lirisë dhe shkresën drejtuar kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
“Deputetët e PL kanë depozituar një kërkesë ndaj Ilir Prodës, për dijeni ministrit të Brendshëm për këtë çështje. Të shohim çdo thotë Policia e Shtetit, ne kallëzimin e kemi gati për ta dorëzuar, por kërkojmë një qëndrim nga policia, që të bëjmë një kallëzim dinjitoz, për të parandaluar në të ardhmen precedent të llahtarshëm”, shtoi avokati.
/e.i/j.p/