“Gjon Mili” shkon për artisten nga Kosova
“Thjesht” në art, por dhe në fotografi. Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë, “Gjon Mili 2011”, ka shpallur fituesin në Prishtinë, fotografen nga Kosova Fitore Hakaj. Këtë vit çmimi i fotografit të Pikasos dhe Henri Matise shkon për Kosovën. Në ekspozitën ndërkombëtare të Fotografisë Artistike morën pjesë 62 fotografë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Turqia, India, Kroacia, Anglia Sllovenia etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për gati dy javë, por ajo që në ditën e parë të çeljes së saj ngjalli interes të madh te publiku. Kjo edhe për vetë konceptin kuratorial mbi të cilin ngrihej ekspozita: “Thjesht”, aty ku teknologjia nuk ka vend, u prezantuan fotot e 62 kandidatëve për këtë çmim. Mes tyre Shqipëria u përfaqësua me fotografi të katër artistëve që u përkisnin tre brezave : Eva Sula, Helidom Haliti, Qerim Vrioni dhe Rudina Deda, vepra e të cilëve u vlerësua në këtë konkurs. Por çmimi i madh shkoi për fotografen Fitore Hakaj nga Kosova. Edhe pse fituesja nuk ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, kjo nuk e pengoi atë që të shpallet fituese e edicionit të njëmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Artistike “Gjon Mili”, që organizohet si çdo vit në Galerinë e Arteve të Kosovës. Juria e përbërë nga Enver Bylykbashi, Kamuran Goranci dhe Naim Shala, kryetar i jurisë, hasi vështirësi në shpalljen e fituesit, pasi, sipas vetë kryetarit Shala, prurjet këtë vit ishin artistikisht shumë të arrira. Pikërisht për këtë arsye juria vendosi që përveç çmimit kryesor të ndajë edhe dy çmime mirënjohje. Njërën për fotografin Berat Morina e tjetra për Shkëlzen Rexhën. “Ne vërtet e patëm një punë pak të vështirë përzgjedhjen e fotografisë më të mirë. Mund të kemi qenë pak subjektivë, por besoj se edhe ju do të pajtoheni me përzgjedhjen tonë. Fituesja e këtij edicioni na ka sjellë një fotografi, e cila të gjithëve ne anëtarëve të jurisë na la përshtypje të jashtëzakonshme dhe mund të them se kemi qenë absolutisht të njëzëshëm në vendimin tonë” - tha teksa shpallte fituesit kryetari i jurisë, Naim Shala. Ndërkohë që për kuratorin e ekspozitës, Burim Myftiu, ishte vetë koncepti i ekspozitës që solli foto kaq të arrira në edicionin e këtij viti.“Ky është edicioni i njëmbëdhjetë dhe koncepti i këtij edicioni ishte ‘Thjesht’. Thjesht pra, si sofistikim i fundit dhe unë mendoj se pjesëmarrësit arritën që të mbajnë këtë atmosferë, edhe pse i ndryshëm për nga përmbajtja, koncepti është i njëjtë”, tha Myftiu. Ekspozita Ndërkombëtare e Fotografisë Artistike, në të cilën ndahet çmimi “Gjon Mili” jepet për nder të mjeshtrit shqiptaro-amerikan me përmasa botërore. Në këtë ekspozitë, nga gjithsej 95 kandidatë, nga Komisioni Seleksionues janë përzgjedhur 62 pjesëmarrës, të cilët garuan për këtë çmim. Të njëjtën ditë që u çel ekspozita u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimit të madh. Fitore Hakaj me foton e saj bardh e zi merr si shpërblim jo vetëm titullin “Gjon Mili”, por dhe një shpërblim prej 1 000 euro. Pas kësaj, ekspozita do të jetë e hapur dy javë, ku vizitorët do të mund të gjykojnë edhe vlerësimin e jurisë për fituesit, por dhe thjeshtësinë e fotografive që janë prezantuar, ku artistëve u është kërkuar që të lënë jashtë elementet joesenciale, të cilat sipas mendimit kuratorial nuk japin kontribut, përkundrazi e lëvizin thelbin e kompozicionit: sa më thjesht, aq më bukur. Gjon Mili u lind në qytetin e Korçës në vitin 1904. Emigrimi e largoi nga vendlindja e tij, Korça, që në moshën 5-vjeçare. Vite më vonë Gjon Mili do të bëhej një ndër fotografët më të shquar botërorë dhe më i kërkuari në Amerikë. Yje të asaj kohe nga fusha të ndryshme të artit, si: Pikaso, Marlon Brando, Sofia Loren, Frank Sinatra, presidenti Harry Truman etj., ishin modelet e fotografit shqiptar që është dhe babai i fotografisë në lëvizje. Ekspozita e tij e parë në Europë u çel në vitin 1946, në Paris, kur ai ishte 42 vjeç. Fjalën e hapjes në këtë ekspozitë e mbante filozofi i madh francez Zhan Pol Sartri. “Gjithçka ka ndryshuar në perceptimin tim për fotografinë qëkurse kam njohur këtë fotograf, i cili ka lindur për të bërë revolucion në artin e fotografisë. Para se të takoja Milin, isha mësuar të shihja vetëm ata fotografë çapaçulë që bënin fotografi nga një farë marazi, ashtu si të vrisnin diçka. Mili nuk ka maraz. Ai nuk kënaqet thjesht me kapjen e njerëzve të famshëm me aparatin e tij fotografik. Çdo fotografi e shndërron në studim, në përvojë. Për të ka aq mënyra fotografimi, sa ka dhe tipa”- do të shprehej filozofi i madh francez 69 vjet më parë.