50 fotografi të anijes ‘Vlora’ zbarkojnë në Bari
Është hapur në Teatrin Petruzelli të Barit ekspozita me 50 fotografi të Luca Turit, të zbarkimit të 20 mijë shqiptarëve të anijes ‘Vlora’ në Bari. Mijëra personat e ngjeshur në anijen ‘Vlora’, që edhe kur mbushnin sheshin e portit të Barit e vazhdonin të linin plot anijen: imazhi që më mirë se çdo gjë tjetër jep idenë e zbarkimit në masë të shqiptarëve në brigjet e Puglies 20 vjet më parë. Foto që ka hyrë në histori, që edhe sot e kësaj dite të emocionon e të lë gojëhapur. Profile, lot e buzëqeshje, lodhje dhe ngazëllim, frikë dhe shpresë, të shqiptarëve që 20 vjet më parë u larguan nga Shqipëria, mbushën plot e përplot anijen ‘Vlora’ dhe mbërritën në portin e Barit, ashtu si vetëm pak muaj më parë, mëse 20 mijë të tjerë bënë me anijet që gjetën porteve shqiptare për të mbërritur në Brindisi. Dhe pikërisht mbërritja e ‘Vlorës’ në portin e Barit, në orën 8.30 të 8 gushtit 1991 është fiksuar në 50 fotografi bardhezi apo me ngjyra të fotografit dhe kino-operatorit barez Luca Turi, të mbledhura në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur për gati një javë. Në atë ditë të nxehtë gushti një masë mbresëlënëse njerëzish vërshoi mbi bankinat e portit të Barit. Ishin refugjatë shqiptarë që largoheshin nga Shqipëria e sapodalë nga regjimi komunist. Të ngjeshur si sardele në bark të ‘Vlorës’. Atë ditë fotoreporteri Luca Turi fiksoi me aparatin e tij një ngjarje që do të mbetet përjetë në histori dhe që pas dy dekadash, Bari e kujton me një ekspozitë me titull “Arratia e shqiponjave”. 50 panele me foto tregojnë fazat e ndryshme të mbërritjes së shqiptarëve: nga ankorimi i anijes në port, deri te ndihma e parë të plagosurve e më pas te mbyllja në stadiumin Vittoria të Barit. Fotografitë janë ndarë në katër zona tematike. E para tregon mbërritjen e ‘Vlorës’. E dyta, mbajtjen e refugjatëve në stadiumin e Barit. E treta u kushtohet fëmijëve të anijes ‘Vlora’. Ndërsa e katërta tregon solidaritetin e popullit të Barit, ndihmat që barezët u sollën mijëra të dëshpëruarve.